AAK-ja: Këtë vit paga minimale duhet të rritet në 450 euro
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka listuar pesë çështje të cilat sipas tij, duhet të adresohen me urgjencë gjatë këtij viti.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri ka thënë se nuk duhet lejuar që viti 2024 të jetë vazhdimësi e një qeverisjeje të dështuar.
“Viti që lamë pas mos të na i marrë me vete temat që kërkojnë trajtim urgjent. Në të kundërtën, kjo qeveri po mbetet institucioni ku mund të gjesh të gërshetuara të gjithë koleksionin e gënjeshtrave. Nuk duhet lejuar që viti 2024 të jetë vazhdimësi e një qeverisjeje të dështuar, me skandale të panumërta dhe pa vizion për zhvillim”, ka thënë Tahiri.
Ai ka përmendur arsimin, rritjen e pagave në administratën shtetërore, uljen e çmimit të energjisë elektrike, rritjen e pagës minimale në 450 euro dhe mbështetjen për sektorin privat.