AAK i reagon ministrit Peci për objektin që e shfrytëzon kjo parti

AAK i reagon ministrit Peci për objektin që e shfrytëzon kjo parti

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i ka reaguar sot ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, pasi që ai tha se objekti që e ka në shfrytëzim kjo parti do ti kalojë Ministrisë së Bujqësisë.

AAK thotë se paguan çdo muaj 4552 euro për shfrytëzimin e objektit.

Ndërsa kjo parti thotë se ministri Peci ka manipuluar me deklaratat e tij.

Reagimi i plotë:

AAK ka kontratë me Ministrinë e Bujqësisë për një pjesë të objektit. Ne paguajmë qira mujore për shfrytëzimin e 569 metra katrorë, në katin përdhesë dhe të parë në vlerë prej 4552 eurosh në muaj, ku nuk përfshihet as bodrumi e as kati i dytë, që janë të mbyllura e të lëna në gjendje të mjerueshme.

Pohimet e këtij far ministrit se gjoja “I rikthyem mbi 600 metra katrorë në shërbim të titullarit…”, janë pjesë e manipulimit ordiner të tij për të krijuar përshtypjen sikur ato paskan qenë të uzurpuara nga dikush.

Nuk është hera e parë që Peci bënë manipulime të kësaj natyre me qëllim që ta luftojë politikisht Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, sepse edhe ashtu i kanë mbetur pak ditë aty ku është.

Ne jemi përpjekur që të jemi të kujdesshëm e të mos hapim debat publik dhe marrëdhëniet kontraktuale t’i kryejmë siç bëjnë subjektet e përgjegjshme, e të pranojmë të paguajmë një qira që është mbi vlerën e tregut, për një objekt që e ka renovuar Aleanca me mjete të veta, por këtë herë nuk mund mos të themi se Faton Peci është një manipulues ordiner.

Aleanca është në shtëpi të vet dhe aty do të qëndrojë pavarësisht a i pëlqen dikujt apo jo.

Me qëllimin më të mirë që mediat dhe qytetarët të mos bijnë pre e këtyre mashtrimeve, po i publikojmë disa fotografi të hapësirës së pretenduar se i qenka rikthyer ministrisë si dhe kopjen e kontratës së qirasë për shfrytëzim.