A po shndërrohet Ministria e Sportit në armiken e futbollit në Kosovë?!
Një “lufte” e hapur mes disa individëve brenda MKRS-së dhe Federatës së Futbollit të Kosovës e të futbollit në përgjithësi, ka kohë që është ndezur. Sado që nuk ka asnjë arsye të logjikshme, arsyet e vërteta i di i gjithë opinioni, pra se ka dyshime që njerëz brenda MKRS-së e sidomos tek dikasteri i sportit ose janë të padijshëm e të papërgjegjshëm, ose janë në shërbim të dikujt nga jashtë, që ka interesa direkte te Federata e Futbollit të Kosovës, interesa këto të cilat po dështojnë t’i realizojnë me presidentin aktual të kësaj federate, z. Agim Ademi, i cili në zgjedhjet e fundit për mandatin e tij të parë të plotë, mori më shumë se 95% të votave të anëtarëve të KE.
Është jo vetëm turp, por edhe e papërgjegjshme se si njerëz brenda kësaj ministrie dikur i patën rekomanduar KE të FFK-së që ta largojnë z. Ademi nga pozita që mban, kinse për shkak se pengohet nga një rregull të cilin e patën nxjerre pikërisht këta njerëz “enkas” për ta penguar z. Ademi për të qëndruar në pozitën e presidentit te FFK-së, për shkak te një aktakuze nga jeta e tij private, për të cilën së fundi u shpall i pafajshëm. Beteja e tyre kundër futbollit po vazhdon edhe sot kur po e pengojnë “zbatimin” e ligjit me të mirë të sponzorizimit të cilin e gëzon Republika e Kosovës, kështu padrejtësisht duke i penguar në marrjen e vërtetimeve, si klubet ashtu edhe FFK-në.
Përshtypjen se këta njerëz brenda MKRS-së duan ta gjunjëzojnë futbollin, t’i nënshtrojnë njerëzit rreth futbollit ta jep edhe fakti se qeveria e fundit nuk ka asnjë investim serioz në ngritjen e kapaciteteve për futbollin, po kalojnë 3 vite nga qeverisja dhe sa hapin një tender, e mbyllin sapo ju fillojnë “paranojat” për keqpërdorim, apo edhe frikësohen se nuk kanë mjaftueshëm njerëz të tyre për të përfituar, siç ishte konkret rasti i tenderit për stadiumin e Gjilanit, ku gjithandej ishte një festë në mjediset e sportdashësve, por, e gjitha u ndërpre kur papritmas u anulua tenderi.
Si “qershia mbi torte” do te ishte një deklaratë e zëvendësministres, znj. Daulina Osmani e cila në një emision sportiv, kur dikush e pati ngritur dyshimin se me përzierje të politikes në sport, mund të përjashtohemi nga UEFA e FIFA, zv/ministre pati deklaruar se “S’ka dert, e nisim prej fillimit aplikimin”, a nuk është kjo papërgjegjshmëri që përfundimin e ka me një adresë të sigurt, shkatërrimin e sportit ne vend.