A do të jetë Kosova në Uashington pjesë e tavolinës së diskutimeve apo subjekt i diskutimeve në tavolinë?

A do të jetë Kosova në Uashington pjesë e tavolinës së diskutimeve apo subjekt i diskutimeve në tavolinë?

Agon Maliqi

Sekretari i ri i Mbrojtjes i SHBA, Pete Hegseth, tha sot në Konferencën e Mynihut se nuk e sheh si realiste që marrëveshja e negociuar mes Rusisë dhe Ukrainës të çojë në anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe as rikthimin e saj në kufijtë e vitit 1991. Poashtu tha se garancitë e sigurisë për Ukrainën pas marrëveshjes me Rusinë duhet të vijnë nga Evropa dhe se ushtarët amerikanë nuk do të shkelin aty, por që mund të ketë vend për armatim amerikan.

Ky deklarim publik është zyrtarizim i ndryshimit të kursit nga administrata e re amerikane në politikën ndaj Ukrainës dhe është në përputhje me frymën e tërheqjes së SHBA si “subvencionuese” e sigurisë evropiane dhe zotimit të saj për mbrojtjen e kufijve sipas rendit ndërkombëtar. Kjo frymë realiste shumë shpejt do të reflektohet edhe në politikën e SHBA në Ballkan ku – po e përsëris – është në rrezik serioz prezenca e KFOR-it amerikan.

Po e përsëris një gjë që e thash të shtunën në Klan Kosova: lobi i Serbisë është forcuar shumë në Uashington D.C, por edhe Kosova nuk është pa miq. Problemi i Kosovës është se me qasjen e vet ajo nuk po ju jep argumente miqve të vet për mbështetje. Nga përbërja e re e qeverisë së re të Kosovës dhe nga kursi i saj politik do të varet shumë nëse Kosova do të jetë palë në tavolinë të diskutimeve në Uashington apo do të jetë subjekt diskutimi i asaj tavoline. E njëjta gjë vlen edhe për në vendet e BE, ku kapitali politik i Kosovës është më i vogël. Pesha e këtyre zgjedhjeve dhe e kësaj qeverie që do të krijohet është historike për sigurinë kombëtare.