A do takonte vrasësin e djalit? Babai i Martinit: Jam i tronditur! S’jam njeri hakmarrës, dua që njerëzit të kenë paqe
Babai i Martinit, vdekja e të cilit tronditi gjithë vendin tha se nuk është njeri hakmarrës, por gjithnjë i buzëqeshur.
Në një intervistë për emisionin Top Story në Top Channel ai tha se nuk e dinte nëse do të mund ta takonte vrasësin e të birit, nisur nga tronditja e madhe që ka përjetuar.
Babai i Martinit: Jam kaq i tronditur sa nuk e përballon dot truri të ketë mendje të kthjellët të përballojë këtë lloj fatkeqësie, nuk jam njeri hakmarrës, jam njeri që buzëqesh, dua që njerëzit të kenë paqe dhe lumturi.
Nëna e Martinit: S’kam asnjë fjalë. Martini thoshte do bëhem futbollist, flisja çdo natë me të, ishte pa asnjë lloj shqetësimi.
E gjithë Shqipëria u trondit të hënën pas ngjarjes tragjike, ku 14-vjeçari Martin Cani u vra me thikë dhe një tjetër u plagos nga një bashkëmoshatar i tyre.
Ngjarja ndodhi pak metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku pas një sherri që dyshohet se kishte nisur disa ditë më parë. 14-vjeçari, M.P. i arrestuar tashmë goditi disa herë me thikë Martin, plagë të cilat i morën jetën.
Katër plagë ka marrë edhe një tjetër i mitur, shok me viktimën, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, në rrjetet sociale janë shpërndarë disa foto të autorit të dyshuar, i cili pozon “me krenari” pas krimit, teksa shfaqet i ulur në sediljen e pasme të një mjeti. Në foto ai tregon edhe dorën e tij të gjakosur e të fashuar, pasi është lënduar gjatë sulmit. Po ashtu kanë qarkulluar edhe foto të thikës me përmasa të mëdha, me të cilët dyshohet se ka kryer aktin e rëndë.
Seanca gjyqësore për caktimin e masës së adoleshentit do të mbahet nesër në orën 9:30. Ai ndodhet në një spital privat pas plagëve që mori gjatë sherrit ku mbeti i vdekur bashkëmoshatari.