Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë në mungesë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në lagjen e Jasharëve në Prekaz më 1998.
Të pandehurit, që sipas Prokurorisë Speciale, u përkasin pozitave të larta komanduese të strukturave të njësive speciale të policisë serbe dhe të njëjtit akuzohen për vrasjen e civilëve, raporton Rel.
“Provat e siguruara kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra dhe të moshuar”, tha prokurori Valdet Gashi.
Sipas Gashit, prokuroria bazuar në provat e siguruara për ngjarjet më 5,6 dhe 7 mars 1998 ka arritur të vërtetojë se “cilat njësi të forcave serbe kanë marrë pjesë në sulm, pozicioni prej ku kanë sulmuar, aktivitetet e secilit prej të pandehurve, arsenalin e armëve që janë përdorur dhe dëmet e shkaktuara si në njerëz dhe materiale”.
Kryeprokrurori i Speciales, Blerim Isufaj, tha se aktakuza është punuar me kujdes dhe bazohet në prova, duke theksuar se tani është në kompetencën gjykatës që ta vlerësojë atë.
Ai e vlerësoi si aktakuzë me rëndësi të veçantë dhe tha se është dëshmi e përkushtimit të insttiucionit që ai udhëheq për trajtimin e krimeve të luftës dhe kërkimit të përgjegjësisë penale pavarësisht kompleksitetit të rastit dhe kohës së kaluar nga kryerja e krimeve.

