Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te Memoriali i Personave të Zhdukur me Dhunë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.
Kurti tha se bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministra e deputetë, përfaqësues institucionalë, të shoqatave të familjeve, si dhe ambasadorë e diplomatë ndërkombëtarë, vendosën lule të freskëta në memorial.
Ai theksoi se Kosova ndodhet në fazën fillestare të procesit të identifikimit të mbetjeve mortore, që vlerësohet se u përkasin së paku 23 personave, të gjetura gjatë gërmimeve të fundit në tri lokacione në fshatrat Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Sipas Kurtit, këta persona dyshohet se janë viktima të zhdukjes me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Për familjet e më shumë se 1500 personave, të cilët mbesin ende të zhdukur, lufta nuk ka mbaruar”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se vetëm zbardhja e fatit të të dashurve të tyre dhe drejtësia mund t’i japin fund pritjes dhe dhimbjes.
Kurti ka kërkuar trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe deklasifikimin e dokumenteve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Ai ka përmendur edhe Deklaratën për Personat e Zhdukur me Dhunë, për të cilën Kosova dhe Serbia ishin pajtuar më 2 maj 2023 në Bruksel, duke kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ushtrojë presion për zbatimin e saj.
Në veçanti, Kurti ka kërkuar hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, për të cilën thotë se ka kryer masakra në Drenicë dhe në pjesë të tjera të Kosovës.
“Familjet që kanë pritur afër tri dekada, nuk mund të dënohen me ankth e dhimbje edhe për dy dekada të tjera. Ato dosje duhet të hapen një orë e më parë”, ka deklaruar Kurti.

