Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Vetëvendosjen për, siç ka thënë, bllokimin e institucioneve të Kosovës dhe Kuvendit.
Ramadani, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se deputetët e VV-së po shfrytëzojnë përfitimet e pushtetit, ndërsa opozita, sipas tij, është e shqetësuar për gjendjen e shtetit.
“Ne po flasim për shtetin. Ata për pushtetin. Ne po flasim për jetën e qytetarëve. Ata veç për poste”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka akuzuar deputetët e VV-së se po e përdorin shumicën parlamentare për të bllokuar institucionet, duke thënë se “të jesh ndryshe nuk është të bllokosh institucionet”.
Ramadani ka kritikuar gjithashtu takimet e fundit politike, duke pretenduar se në to diskutohet kryesisht për ndarjen e posteve.

