Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar se projekti “Ndriçojmë Futbollin” ka vazhduar edhe në stadiumin e Gjilanit, ku ndeshja e sontme po zhvillohet nën dritën e sistemit të ri të reflektorëve.
Sipas FFK-së, ky investim paraqet një tjetër hap në përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë.
Stadiumi i Gjilanit ka rëndësi të veçantë për futbollin e qytetit, pasi është shtëpi e dy klubeve, SC Gjilani dhe FC Drita. Me vendosjen e reflektorëve të rinj, të dy skuadrat do të kenë mundësi t’i zhvillojnë ndeshjet edhe në orët e mbrëmjes, në kushte më të mira për futbollistët dhe tifozët.
FFK ka theksuar se ndeshjet nën reflektorë krijojnë atmosferë më të veçantë në tribuna dhe ofrojnë mundësi më të mira për organizimin dhe transmetimin e takimeve.
Pas stadiumit të Klinës, projekti pritet të shtrihet edhe në Skenderaj, duke vazhduar kështu investimet në infrastrukturën sportive në vend.
“Po i ndriçojmë stadiumet tona, për ta bërë edhe më të ndritshme të ardhmen e futbollit të Kosovës!”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

