“E patëm lënë që më 15 shkurt të takoheshim”, Kurti ngushëllon familjen e akademikut Feriz Krasniqi

“E patëm lënë që më 15 shkurt të takoheshim”, Kurti ngushëllon familjen e akademikut Feriz Krasniqi

Kryeministri Albin Kurti u ka shprehur ngushëllime familjes, kolegëve e miqve të Akademikut Feriz Krasniqi, i cili vdiq dje në moshën 93-vjeçare.

Kurti ka treguar se takimin e fundit me të e kishte pasur më 17 dhjetor të vitit që shkoi, derisa tha se e kishin lënë që më 15 shkurt të takoheshin për ta shënuar 54 vjetorin e e Universitetit të Prishtinës.

Kurti ka thënë se Krasniqi ishte një nga figurat më të respektuara në botën akademike dhe shkencore në Kosovë.

Postimi i tij:

E patëm lënë që më 15 shkurt, të takoheshim bashkë për ta shënuar 54 vjetorin e e Universitetit të Prishtinës. Por dje, në moshën 93 vjeçare, Profesor Feriz Krasniqi vdiq!
Gjashtë javë më parë, më 17 dhjetor, kur bashkë me Profesor Ferizin i shkuam në vizitë mikut të tij Profesor Minir Dushit, ai mbështetej në bastunin e tij për të ecur dhe mbështetej në kujtesën e kthjellët dhe përvojën e gjatë prej 93 vjeçari për të biseduar. Shumë i këndshëm në bisedë dhe fort dashamirës mes miqsh, Profesor Feriz Krasniqi ishte një nga figurat më të respektuara në botën akademike dhe shkencore në Kosovë.
Feriz Krasniqi ka qenë fillimisht Prorektor i Universitetit të Prishtinës mes viteve 1973 – 1975, para se ta merrte drejtimin e tij nga detyra e Rektorit të Universitetit të Prishtinës në dy mandate, gjatë periudhës 1975 – 1979. Ai e udhëhoqi Universitetin e Prishtinës në një dekadë kyçe, kur u themeluan dhe u ngritën shumë fakultete dhe degë të tij. Si rektor i UP-së, Feriz Krasniqi e ka bartur procesin e arritjeve dhe të nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me Universitetin e Tiranës, në një kohë kur pedagogët nga Tirana dhanë shumë kontribut për zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.
Feriz Krasniqi ishte lindur në fshatin Tërpezë të Malishevës, më 1931. Nga viti 1951 deri më 1968, ai i përfundoi të gjitha shkallët e studimeve universitare në fushat e biologjisë, në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Nishit, në Universitetin e Shkupit dhe në Universitetin e Beogradit. Tezën e tij të doktoratës të mbrojtur më 1968, ai e kishte konceptuar dhe titulluar kështu: “Vegjetacioni i pyjeve të rajonit kodrinor të Kosovës”.
Gjithë karrierën e tij shkencore, Profesor Feriz Krasniqi ia kushtoi studimeve të florës dhe vegjetacionit spontan, kryesisht të Kosovës. Emri i tij është monumentalizuar edhe në terminologjinë shkencore botërore të botanikës, pasi që lloji i ri bimor i floristikës i gjinisë Cynoglossum, i zbuluar nga botanisti Tome Wraber, në malet e Pashtrikut, është emërtuar sipas tij me emrin shkencor: “Cynoglossum krasniqii T.Wraber”.
Më 1996, Profesor Feriz Krasniqi u zgjodh anëtar korrespodent kurse në vitin 2000, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës. Në vitin 1995, Senati i Universitetit të Prishtinës e kishte zgjedhur atë Profesor Emeritus, kurse më 2020, nga Universiteti i Prishtinës, Profesor Feriz Krasniqit iu dha titulli Profesor Nderi.
Profesor Feriz Krasniqi e ka nderuar vërtetë Universitetin e Prishtinës, Akademinë e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe gjithë shoqërinë e Kosovës. Ngushëllime familjes Krasniqi, kolegëve dhe miqve të Profesor Feriz Krasniqit dhe gjithë popullit tonë!