Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit dhe ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Eqrem Kryeziu.
Abdixhiku ka thënë se Kosova ka humbur një intelektual të shquar, një veprimtar të orëve të para dhe një shërbyes të përkushtuar të institucioneve të vendit.
Sipas tij, LDK-ja ka humbur një prej figurave të saj më të rëndësishme, ndërsa Prizreni një personalitet që e përfaqësoi dhe e udhëhoqi me dinjitet.
“Profesor Eqremi ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së dhe bashkudhëtar i palëkundur i Presidentit Rugova. Për më shumë se dy dekada udhëhoqi Degën e LDK-së në Prizren, shërbeu si nënkryetar i parë i LDK-së, deputet e kryetar i Komunës së Prizrenit në vitet e para e më të vështira të lirisë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai e ka përshkruar Kryeziun si profesor, intelektual dhe veprimtar politik me mendim të lirë, fjalë të drejtpërdrejtë dhe karakter të veçantë.
“LDK-së i dha vite të tëra angazhimi, besnikërie dhe shërbimi; Kosovës i shërbeu në arsim, në politikë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike”, ka theksuar Abdixhiku.
Në fund, kryetari i LDK-së u ka shprehur ngushëllime familjes Kryeziu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve të Prizrenit.
“Profesor Eqrem, faleminderit për gjithë kontributin dhe gjurmën që le pas. Pusho në paqe! I përhershëm qoftë kujtimi për ty!”, ka përfunduar Abdixhiku.

