Shqiptarët po zgjedhin të ruajnë kursimet me monedhën vendase. Depozitat në lek u rritën me 13.5%, ndërsa ato në valutë me 10.5%, duke bërë që leku të zërë për herë të parë në një dekadë mbi 50% të totalit.
Zhvlerësimi i euros po shoqërohet me një ndryshim në vendimmarrjen e qytetarëve për sa u përket kursimeve të tyre.
Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat në lek janë rritur ndjeshëm, ndërsa kanë rënë ato në euro.
Depozitat në lek u përshpejtuan në 13.5% vit mbi vit, në reflektim të ndërmjetësimit financiar më të thelluar në monedhën vendase nga ana e bankave, zgjerimit të ofertës monetare në lek, si dhe prirjes së vazhdueshme të agjentëve ekonomikë për t’i mbajtur ose investuar kursimet e tyre përmes sistemit bankar.
Nga ana tjetër, depozitat në valutë u rritën më ngadalë, në një ritëm vjetor prej 10.5%.
Zgjerimi vjetor i depozitave në valutë është mbështetur nga kontributi më i lartë i depozitave të bizneseve, në linjë me rritjen e aktivitetit turistik dhe hyrjet e valutës në vend.
Prej më shumë se një viti, depozitat në lek po rriten më shpejt se ato në valutë, duke sjellë një zhvendosje në strukturën e depozitave, ku për herë të parë në dekadën e fundit, depozitat në lek zënë peshën më të madhe, rreth 50.1% të totalit./Euronews Albania

