HomeSportAdemi: Zhgënjimi për Botërorin kaloi, Kosova po ndërton një tjetër nivel

Ademi: Zhgënjimi për Botërorin kaloi, Kosova po ndërton një tjetër nivel

spot_img

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se Kosova e përjetoi me zhgënjim eliminimin nga gara për Kupën e Botës, por theksoi se paraqitjet në këtë cikël kanë dëshmuar rritjen e nivelit të përfaqësueses.

Në një intervistë për emisionin “Sports Show” në Klan Kosova, Ademi ka folur për ndeshjen vendimtare ndaj Turqisë dhe mundësinë e humbur për kualifikim në Botëror.

“Krenarinë nuk e kemi humbur, por zhgënjimin e kemi pasur për ndeshjen e fundit, normalisht, se kemi qenë shumë afër. Mendoj që kemi qenë pothuajse të barabartë. I kemi pasur edhe ne shanset tona dhe e humbëm ndeshjen me një gol që nuk erdhi prej ndonjë rasti të madh. Por kjo ka kaluar”, ka deklaruar Ademi.

Ai është shprehur i kënaqur me rrugëtimin e Kosovës, duke thënë se kombëtarja tashmë ka fituar një tjetër mentalitet dhe nivel të konkurrencës.

“Jam shumë i lumtur që kemi ardhur deri këtu dhe që ekipi e ka kuptuar dhe e ka vlerësuar veten aty ku është. Tash e tutje, Kosova besoj që është ndryshe. Jo vetëm me ambicie, se ambicie kanë të gjithë, por edhe me përqendrim”, është shprehur ai.

Sipas Ademit, një prej faktorëve kryesorë të progresit është prania e futbollistëve kosovarë në ligat më të forta evropiane.

“E kemi një fat të madh që kemi futbollistët tanë nëpër të gjitha ligat më të mira të Evropës. Kur është kështu, i gërsheton të gjitha ligat dhe taktikat e tyre, trajneri e ka mundësinë t’i shohë të gjitha dhe të nxjerrë më të mirën prej tyre”, ka thënë presidenti i FFK-së.

Ademi ka veçuar edhe procesin e ndërrimit të gjeneratave në Kombëtaren e Kosovës, duke e cilësuar atë si një zhvillim pozitiv.

“Më së shumti jam i lumtur që po bëhet ndërrimi i gjeneratave në kohë shumë të mirë, por edhe në format të mirë. Çdo ekip, edhe kampionët e botës, kur bëjnë ndërrimin e gjeneratave, përballen me probleme, sepse futbolli ka ndryshuar dhe çdo herë po ndryshon. Duhet të jesh gjithmonë në hap”, ka theksuar Ademi.

Ai ka vlerësuar edhe zhvillimin e futbollit vendor dhe faktin që nga klubet e Kosovës po dalin vazhdimisht futbollistë të talentuar.

“Më gëzon fakti që përparimi po bëhet edhe në Kosovë, në ligën e Kosovës. Kemi futbollistë që kanë dalë nga liga e Kosovës dhe po dalin çdo herë, që janë të jashtëzakonshëm. Talenti lind, por mua më gëzon që edhe në Kosovë po bëhet punë. Puna vjen nga përkushtimi dhe nga krijimi i kushteve”, ka deklaruar ai.

Në këtë drejtim, presidenti i FFK-së ka veçuar investimin në edukimin dhe avancimin e trajnerëve kosovarë. Ai ka bërë të ditur se tashmë ka nisur gjenerata e parë e kursit për licencën UEFA Pro në Kosovë.

“Ne e kemi krijuar tash kushtin e parë, edukimin, që i kemi dhënë mundësi të edukohen të gjithë trajnerët e ekipeve tona. Sidomos u japim përparësi trajnerëve të cilët janë duke punuar në futbollin kosovar. Tashmë ka filluar gjenerata e parë e licencës UEFA Pro, licenca e fundit që merret”, ka thënë Ademi.

Sipas tij, programi i licencës UEFA Pro është i njëjtë pavarësisht vendit ku zhvillohet, ndërsa organizimi i tij në Kosovë krijon mundësi që trajnerët vendorë të avancojnë profesionalisht pa u larguar nga vendi.

Në fund, Ademi u shpreh optimist për të ardhmen e futbollit kosovar, duke vlerësuar punën e bërë në të gjitha nivelet.

“Futbolli e ka rrugën e mirë, e ka formatin e mirë, përkushtimin e mirë secili njeri që është në futboll. Mund të them lirisht që futbolli është një prej organizatave sot më stabile në Kosovë”, ka përfunduar presidenti i FFK-së.

Lajmet e Fundit

Agim Ademi tregon se çka bisedoi në takimin me Donald Trumpin (VIDEO)

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka rrëfyer detaje nga takimi...

Franca përshpejton dërgimin e pajisjeve ushtarake në Ukrainë

Presidenti francez Emmanuel Macron është zotuar të përshpejtojë dërgimin e pajisjeve të reja ushtarake...

Frika nga rënia e Euros, shqiptarët i kthejnë kursimet në lek

Shqiptarët po zgjedhin të ruajnë kursimet me monedhën vendase. Depozitat në lek u rritën...

“Ora e Pritjes” po vazhdon numërimin e ditëve deri te vendimi për ish-krerët e UÇK-së

Në zemër të Prishtinës ka nisur “Ora e Pritjes” – numërimi së prapthi drejt...

Më të lexuarat

Shteti duhet të fitojë mbi pushtetin

Shkruan: Hisen Berisha Kosova po përballet me një krizë që nuk mund të shpjegohet vetëm...

Pasiguria politike ka çmim, ekonomia e Kosovës po e paguan faturën

Shkruan: Safet Gërxhaliu Nëse e shohim situatën e Kosovës në vitin 2026, ekonomia vazhdon të...

Kosovë,

Shkruan: Valon Murtezaj ka ardhur koha që të kujtojmë, dhe kuptojmë se, politika përveç që...