Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se kontrollet ndaj mjeteve të rënda po vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim të parandalimit të dëmtimit të rrugëve dhe rritjes së sigurisë në komunikacion.
Sipas njoftimit të Ministrisë, gjatë periudhës 14–21 gusht 2026, ekipet inspektuese, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë kontrolluar gjithsej 103 mjete të rënda.
Gjatë këtyre kontrolleve janë evidentuar 30 raste të tejkalimit të peshës së lejuar. Prej tyre, 11 shkelje janë konstatuar te persona fizikë, ndërsa 19 te persona juridikë.
Për shkeljet e evidentuara janë shqiptuar gjoba në vlerë të përgjithshme prej 14 mijë e 910 euro.
Ministria ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë pa ndërprerje, duke theksuar se tejkalimi i peshës së lejuar dëmton infrastrukturën rrugore, rrezikon pjesëmarrësit në trafik dhe krijon kosto shtesë për shtetin.
Në njoftim u është bërë thirrje pronarëve të mjeteve të rënda dhe kompanive transportuese që të respektojnë kufizimet ligjore për peshën e automjeteve.
“Ruajtja e investimeve publike dhe siguria në rrugë janë përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës.

