Tronditet futbolli evropian, Boban largohet nga UEFA
Mëngjesin e sotëm publiku i futbollit evropian mori vesh lajmin se Zvonimir Boban është larguar nga ombrella e Federatës Evropiane të Futbollit UEFA.
Kroati, i cili përbënte tandemin kryesor të UEFA-s bashkë me presidentin Aleksandar Çeferin, është larguar nga UEFA dhe kjo do të shkaktojë tronditje të rëndë në Nyon.
Mediat kroate publikuan një letër të Bobanit në të cilën ai e informonte Çeferinin se po largohej dhe e qortonte për “idenë katastrofike” për të kandiduar sërish për president.
“Kam folur me presidentin e UEFA-s për problemin që ka ndodhur gjatë mbledhjes së fundit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Hamburg. Bëhet fjalë për një propozim për ndryshimin e statutit të UEFA-s në mënyrë që Ceferinit t’i mundësohet një kandidaturë e re në kongresin e ardhshëm më 8 shkurt në Paris, pas këtij mandati i cili duhej të ishte i fundit.
Pasi shpreha shqetësimin tim të madh dhe mosmarrëveshjen time të plotë me metodën dhe vetë propozimin, presidenti u përgjigj se për të nuk ka asnjë problem ligjor apo moral-etik – dhe se do të vazhdojë me këtë ide, për mendimin tim, katastrofike”, shkruante Boban në letrën e tij.
Në mënyrë paradoksale, ishte Çeferini ai që propozoi dhe nisi një paketë reformash në 2017-ën që supozohej të mbronte UEFA-n dhe futbollin evropian nga “menaxhimi i keq”, i cili ishte “modus operandi” i sistemit të vjetër, të korruptuar dhe tashmë të përlyer shumë herë.
Dy pikat kryesore të reformave ishin se as presidenti dhe as anëtarët e Bordit Ekzekutiv nuk mund të kandidojnë më shumë se tri herë (12 vjet mandat) dhe u vendos kufiri i moshës 70 vjeçare për të gjithë anëtarët e Bordit Ekzekutiv.