Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e qytetit të Izmirit, Cemil Tugay.
“Dy vjet pas takimit miqësor në zyrën e tij, sot pata kënaqësinë të mirëpresë në Kryeministrinë e Republikës së Kosovës kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay, me bashkëpunëtorë. Përveçse marrëdhënie të shkëlqyeshme me Turqinë, vendi ynë ka lidhje të veçantë me këtë qytet që u bë shtëpi për shumë shqiptarë të dëbuar nga dhuna dhe terrori i Serbisë e Jugosllavisë përgjatë shekullit të kaluar. Ndonëse asnjëherë nuk e harrojnë prejardhjen e tyre, bashkatdhetarët tanë atje janë pjesë e pandarë dhe çmuar e shoqërisë në Izmir”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai ka theksuar se me kryetarin Tugay biseduan për mundësitë konkrete të thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet Izmirit dhe Kosovës në ekonomi, industri e ndërmarrësi, arsim e kulturë, teknologji e inovacion, sikurse edhe në bujqësi, mjedis e energji.
“Krahas potencialit për investime dhe tregti, folëm për rëndësinë dhe mundësitë e shkëmbimit të përvojave në një sërë fushash, e veçmas në atë të shëndetësisë, mjedisit dhe të menaxhimit të mbeturinave”, ka deklaruar Kurti.

