Kërkesa e SHBA-së për dinarin “të respektohet për t’u dhënë kohë serbëve”
Zbatimi i vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për përdorimin e vetëm një valute në Kosovë, përkatësisht euros, ndonëse kushtetues, duhet të shtyhet për një periudhë të caktuar kohore, rekomandojnë disa njohës të çështjeve financiare.
BQK-ja nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë për mundësinë e shtyrjes së zbatimit të vendimit përtej 1 shkurtit, pas kërkesës së SHBA-së për rishqyrtimin e tij.
Përmes Ambasadës në Prishtinë, SHBA-ja tha se Qeveria e Kosovës duhet ta rishqyrtojë vendimin e BQK-së për paratë e gatshme, me anë të të cilit ndalohet edhe përdorimi i dinarit serb në Kosovë.
Sipas Ambasadës, Qeveria e Kosovës do të duhej të konsultohej me komunitetet e prekura nga ky vendim.
Për më shumë se dy dekada, të inkurajuar nga Beogradi, banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë e shfrytëzuan monedhën serbe për gjithçka – nga rrogat dhe pensionet deri te pagesat në dyqane dhe restorante.
Javën e kaluar, BQK-ja lëshoi një rregullore, e cila kërkon që të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë, të bëhen me euro, nisur nga 1 shkurti. Dinarët do të mund të mbahen në llogari bankare ose të shkëmbehen në euro. Për këtë vendim, BQK-ja u thirr në përcaktimin e Kushtetutës së Kosovës për “një monedhë të vetme” si mjet i vlefshëm pagese.
Në këtë pjesë të Kushtetutës, që e përfshin Neni 11, u thirr të mërkurën edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
“Kushtetuta, ose është e shenjtë dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë ‘cherry picking’ [përzgjedhje më të favorshme]. Nëse duhet të bëjmë ‘cherry picking’, po e bëjmë ne. Nëse duhet të zbatohet, atëherë insistoni që të zbatohet në të gjitha rastet”, tha Bislimi në një konferencë për media me ministrin çek për Çështje Evropiane, Martin Dvorak, në Prishtinë.
Paraprakisht, një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë i tha REL-it se Qeveria e Kosovës duhet të ofrojë kohë për zbatimin e vendimit të BQK-së.
Ai shprehu shqetësim se vendimi do të ketë “ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë” dhe shtoi se “Serbia ka të drejtë t’iu dërgojë ndihmë financiare pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë”.
Ditë më parë, REL-i bisedoi me disa qytetarë serbë, të cilët e cilësuan si “të tmerrshëm” vendimin e BQK-së, ose si “presion mbi ta”.
Një tjetër, i identifikuar si Stanko, tha se vendimi “erdhi shumë shpejt – njerëzit nuk patën kohë të merreshin me këtë çështje”.
“Për 15 ditë të ndryshohet i gjithë sistemi i pagesave… Duhet të ishte bërë pak më gradualisht”, tha ky banor i Mitrovicës së Veriut.
Ish-guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, thotë se “BQK-ja duhet të sqarojë më shumë se vendimi ka të bëjë me zbatueshmërinë e legjislacionit në fuqi” dhe se “nuk është kundër komuniteteve – në këtë rast komunitetit serb”.
Duke komentuar kërkesën e SHBA-së për rishqyrtim të vendimit, ai thotë se u mbetet institucioneve të Kosovës që të vendosin për të.
“Të gjitha vendimet që janë marrë, janë në harmoni me ligjin”, thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.
Milazim Abazi, ish-kryesues i Komitetit të Financave në Odën Ekonomike Amerikane, thotë se, ligjërisht, i vetmi mjet i pagesës në Kosovë është euroja dhe “këtë duhet të mësohen ta respektojnë të gjithë – edhe serbët, edhe ndërkombëtarët”.
Megjithatë, sipas tij, BQK-ja do të duhej ta shtynte për një muaj apo pak më gjatë zbatimin e vendimit për paratë e gatshme.
Kjo, me qëllim që t’u sqarohet qytetarëve serbë se “asgjë e keqe nuk do të ndodhë”.
“Është mirë që Banka Qendrore e Kosovës ta marrë parasysh kërkesën e Shteteve të Bashkuara… Të jepet një afat prej një muaji, apo 45 ditësh, që serbët të njoftohen më gjerësisht me veprimet e BQK-së, të cilat janë veprime krejtësisht të ligjshme, kushtetuese”, thotë Abazi.
Flamur Keqa, ish-drejtor i Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se qytetarët serbë në veri të Kosovës duhet të binden që “është në interesin e tyre që të përdoret valuta euro, sepse shkakton stabilitet financiar në financat e tyre familjare”.
Ai është i mendimit se BQK-ja duhet ta shtyjë fillimin e zbatimit të vendimit të saj.
“BQK-ja duhet ta respektojë këtë kërkesë [të SHBA-së]. Do të ishte mirë që të zhvillohen takime që të bindet popullata serbe se kjo rregullore është në interes të saj… sepse me kursimet që i kanë në dinarë, ata, realisht, kanë mundësi që ta humbin fuqinë blerëse, për shkak të inflacionit që ka ndodhur në Serbi, për shkak të ndryshimit të kursit të dinarit karshi euros”, shpjegon Keqa për Radion Evropa e Lirë.
Për vite me radhë, dinarët arritën në Kosovë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës. Ato para, pastaj, i transportonte kompania për transport të parave “Henderson”.
Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, nuk e priti mirë vendimin e BQK-së dhe, përmes një deklarate të lëshuar më 18 janar, tha se ai rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.
Sipas Listës Serbe, politikëbërësit kosovarë po përpiqen t’i dëbojnë serbët “pa përdorur armë”.
Bashkimi Evropian, i cili prej vitesh ndërmjetëson negociatat për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, tha se ende është duke analizuar vendimin e BQK-së, ndërkohë që kërkon edhe “sqarime” nga Kosova për motivet dhe implikimet që mund t’i ketë vendimi.