HomeAktualeKurti nderon Metush Krasniqin: Një nga figurat e rëndësishme të rezistencës shqiptare

Kurti nderon Metush Krasniqin: Një nga figurat e rëndësishme të rezistencës shqiptare

spot_img

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar figurën e veprimtarit të çështjes kombëtare, Metush Krasniqi, në 100-vjetorin e lindjes së tij.

Kurti ka bërë homazhe në Kamenicë, duke e cilësuar Krasniqin si një nga idealistët dhe veprimtarët e paepur të çështjes kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi.

Sipas Kurtit, Metush Krasniqi gjatë gjithë jetës së tij kishte një qëllim të vetëm – lirinë e Kosovës dhe afirmimin e vullnetit politik të popullit të saj.

Në shkrimin e tij, Kurti ka theksuar se historia politike e Kosovës gjatë shekullit XX është e lidhur ngushtë me burgjet, ku mijëra aktivistë shqiptarë u dënuan dhe kaluan dhjetëra mijëra vite në burgje për shkak të bindjeve dhe veprimtarisë së tyre politike.

“E nëse në regjistrin e fjalëve kyçe për historinë politike të Kosovës, pas fjalës ‘burg’, vendosim të shtojmë edhe emra të përveçëm, njëri prej tyre padyshim që do të ishte edhe ai i Metush Krasniqit”, ka shkruar Kurti.

Ai e ka krahasuar veprimtarinë e Krasniqit me atë të Adem Demaçit, duke e cilësuar atë si një nga aktivistët politikë me vetëdijen më të qartë për çështjen kombëtare të shqiptarëve nën Jugosllavi dhe me angazhim të shumanshëm për çlirimin e trojeve shqiptare.

Kurti e ka përmbyllur shkrimin me nderimin për Metush Krasniqin dhe të gjithë ata që, sipas tij, u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

“Lavdi Metush Krasniqit dhe gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë e atdheut!”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në shënimin e 100-vjetorit të lindjes, në Kamenicë bëmë homazhe dhe përkujtuam njërin nga idealistët e pakusht dhe veprimtarët e paepur të çështjes kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi, Metush Krasniqi, i cili jetoi e veproi për një qëllim të vetëm: lirinë e Kosovës dhe afirmimin e vullnetit politik të popullit të saj.

Nëse do të na duhej të gjenim disa fjalë kyçe për historinë politike të Kosovës, pashmangshëm mes tyre do të duhej ta listonim fjalën “burg”. Kjo meqë historia politike e Kosovës gjatë shekullit XX është e lidhur pashqitshëm me dhjetëra burgje në Kosovë dhe gjithandej nëpër Jugosllavi, ku mijëra aktivistë politikë shqiptarë, kaluan gjithsej dhjetëra mijëra vite si të burgosur për shkak të bindjeve e veprimtarive të tyre politike. Përveç mijëra dëshmorëve dhe martirëve, të vrarë nga regjimet shtypëse të Jugosllavisë së dominuar nga Serbia, shqiptarët e kanë paguar çlirimin e Kosovës edhe me shumë vite jetësh personale të kaluara nëpër burgje, mes torturash, dhunës, urisë, të ftohtit, sëmundjeve dhe përballjes me vdekjen.

E nëse në regjistrin e fjalëve kyçe për historinë politike të Kosovës, pas fjalës “burg”, vendosim të shtojmë edhe emra të përveçëm, njëri prej tyre padyshim që do të ishte edhe ai i Metush Krasniqit. Do të ishte sepse pas Adem Demaçit, por edhe bashkë me Bacin Adem, Metush Krasniqi rezulton të ketë qenë një nga aktivistët politikë me vetëdijen më të kulluar politike, me vizionin më të qartë për çështjen kombëtare të shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi dhe me veprimtarinë më të shumanshme për çlirimin e trojeve të banuara me shqiptarë nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Lavdi Metush Krasniqit dhe gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë e atdheut!

Lajmet e Fundit

Elita e futbollit rikthehet me duele të ‘nxehta’

Superliga e Kosovës në futboll rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së dytë,...

Sveçla: Armët e gjetura në veri do të ekzaminohen për lidhjet me rastet kriminale

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, tha se armatimi në pjesën veriore të vendit është...

Policia kap sasi të madhe armatimi, municioni e uniforma në veri

Policia e Kosovës ka prezantuar sot armatimin, municionin, uniformat dhe dëshmitë e tjera relevante...

Sektorët e industrisë me rritje në qarkullim dhe paga, kurse me rënie te numri i të punësuarve

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat afatshkurtra të industrisë për muajin...

Më të lexuarat

Kosovë,

Shkruan: Valon Murtezaj ka ardhur koha që të kujtojmë, dhe kuptojmë se, politika përveç që...

Ta mbrojmë me protestë demokratike projektin e gazit amerikan dhe aleancën tonë me SHBA-në

Avdullah Hoti, ish kryeministër  Duke refuzuar projektin e Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) me prejardhje...

Xhandarmëria e Kosovës, projekt për siguri shtetërore apo deformim i rendit kushtetues?

Shkruan: Hisen Berisha  Pyetja më logjike që sot duhet ta shtrojë secili qytetar me kulturë...