Prishtina dhe Bashkimi e nisin me fitore edicionin e ri në Ligën Unike

Prishtina dhe Bashkimi e nisin me fitore edicionin e ri në Ligën Unike

Në një ndeshje dramatike që është vendosur në sekondat e fundit, Prishtina ka mundur Partizanin me rezultat 63:65 (20:20, 21:16, 11:14, 11:15).

Ky ishte takimi hapës i këtij edicioni në Ligën Unike Femrat.

Se sfida do të ishte interesante, kjo u pa në fillim, ku çereku i parë ishte tërësisht i barabartë, duke përfunduar 20:20. Në periudhën e dytë, vendaset për një nuancë ishin më të mira, duke shkuar në pushim me rezultat 41:36.

Lojë interesante u zhvillua në periudhën e tretë, ku asnjëra nuk arrinte të shkëputej, ndërsa ritëm i njëjtë vazhdoi edhe në dhjetë minutat e fundit. Një minutë nga fundit, skuadra tiranase po fitonte 63:61, por katër pikë radhazi nga prishtinaset ishin vendimtare për fitoren e parë në këtë edicion 63:65.

Te skuadra vendase u dalluan Imela Mala me 16 pikë e shtatë kërcime dhe Samra Omerbasiq me 13 pikë e nëntë kërcime, kurse te mysafiret më e mira ishte Asianae Johnson me 31 pikë, 13 kërcime e shtatë asistime.

Ndërkohë, Bashkimi e ka nisur me fitore bindëse edicionin e ri duke mundur Flamurtarin me rezultat 88:61 (25:12, 29:11, 17:16, 17:22).

Dallimi i madh dhe vendimtar u bë në pjesën e parë, ku kampionet e Kosovës u shkëputën ndaj fitueses së Kupës së Shqipërisë, duke e fituar pjesën e parë me rezultat 54:23.

Kjo u ndihmoi që në pjesën e dytë të mos kenë presion dhe duke menaxhuar epërsinë fituan në xhiron e parë 88:61.

Te Bashkimi u dalluan Adrienne Godbold me 26 pikë e 12 kërcime dhe Arbnore Përquku me 16 pikë, nëntë kërcime e tetë asistime, kurse te Flamurtari më e mira ishte Asia Henderson me 13 pikë e 14 kërcime.