Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, i është përgjigjur ftesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për takim me subjektet politike, duke e refuzuar atë.
Në letrën drejtuar Haxhiut, Gjini ka deklaruar se ajo nuk është presidente e zgjedhur e Kosovës dhe, sipas tij, nuk ka mandat për të luajtur rolin e unifikueses së spektrit politik.
“Ju nuk jeni Presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik”, ka shkruar Gjini.
Ai ka akuzuar Haxhiun dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se takimin nuk po e kërkojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën institucionale, por për të gjetur fajtorë për një vendim që, sipas tij, tashmë e kanë marrë.
“Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”, thuhet në letrën e Gjinit.
Kreu i AAK-së ka pretenduar gjithashtu se qëllimi është zvarritja e bllokadës institucionale deri në një datë që, sipas tij, i konvenon pushtetit për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Qëllimi juaj është më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet”, ka deklaruar Gjini.
Në fund, ai ka thënë se Aleanca e ka kuptuar, siç e quan ai, këtë “lojë” dhe nuk dëshiron t’i japë pushtetit alibi.
“Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi. Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, ka përfunduar Gjini.

