Kampionia e Kosovës, FC Drita, ka siguruar me meritë kualifikimin në “play-off”-in e UEFA Conference League, pas fitores së thellë 5:0 ndaj skuadrës nga San Marino, Tre Fiori, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pas triumfit 4:1 në ndeshjen e parë, skuadra gjilanase konfirmoi edhe në ndeshjen e kthimit superioritetin ndaj kundërshtarit, duke fituar bindshëm 5:0 dhe duke kaluar tutje në fazën e “play-off”-it.
Drita zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer, duke e mbyllur pjesën e parë me epërsi 3:0, ndërsa në pjesën e dytë shënoi edhe dy gola të tjerë për ta vulosur fitoren.
Për këtë sukses, urimet për futbollistët, stafin teknik, drejtuesit e klubit dhe tifozët “Intelektualët” i ka përcjellë edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
“Urime FC Drita për kualifikimin në ‘play-off’ të UEFA Conference League! Kampionia e Kosovës ka siguruar me plot meritë kalimin në ‘play-off’”, ka shkruar Ademi.
Në fazën e “play-off”-it, Drita do të përballet me Inter d’Escaldes, ndërsa synimi i gjilanasve është të vazhdojnë rrugëtimin evropian dhe ta përfaqësojnë denjësisht futbollin e Kosovës.

