Berisha e bën “sefte” në SPAK, pritet me brohorimat e mbështetësve: Beteja me botën e krimit vazhdon
Ish-kryeministri Sali Berisha ka hyrë për herët të parë në jetën e tij politike në ambientet e Prokurorisë së Posaçme ku pritet të shpjegohet për akuzat ndaj tij lidhur me procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Me të mbërritur në oborrin e SPAK, kanë nosur dhe brohorimat e mbështetësve të grumbulluar që në orët e para të mëngjesit të sotëm/
“O Sali, o hero, gjithë Shqipëria ty të do”, ishin fjalët e mbështetësve.
Ndërsa vetë ish-kryeministri shkurtimisht iu drejtua me fjalët:
“Jam sot këtu për të denoncuar Edi Ramën dhe grupin kriminal që është tek kjo ndërtesë. Ne do të fitojmë. Fitore!”
Berisha do të shoqërohet nga avokatët e tij gjatë marrjes në pyetje. Ai ndodhet prej datës 28 dhjetor në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi akuzohet nga SPAK për veprën penale të korrupsionit.
“Beteja pa kthim vazhdon”, tha Berisha për mediet, ndërsa u largua nga banesa teksa shoqërohej dhe nga dy automjete të Policisë së Shtetit. Kjo është hera e parë që Berisha shkon në ambientet e SPAK, për të dhënë dëshminë e tij mbi hetimin e nisur nga prokuroria e Posaçme mbi veprimet e ndjekura nga ish-kryeministri gjatë procedurave për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Më datë 25 janar, pritet që në SPAK të shkojë për t’u marrë në pyetje edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili edhe ai është nën hetim në të njëjtën dosje.
Vetë Berisha ka ankimuar masën e sigurisë, duke kërkuar shuarjen e saj për shkak se detyra e tij e deputetit kërkon praninë e tij fizike në seancë plenare. Po ashtu, ai ka kërkuar leje për të shkuar në Kuvend. Janë dy kërkesa që pritet të shqyrtohen nga Gjykata e Apelit të Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.