Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për dështimin e seancës së sotme për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Moskonstituimi i Kuvendit përbën vazhdim të bllokadës institucionale nga ana e Kurtit, në kundërshtim me frymën dhe detyrimet e përcaktuara nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Seanca e sotme dëshmoi qartë se zvarritja e krijimit të institucioneve nuk është pasojë e rrethanave apo e mungesës së votave, por rezultat i një zgjedhjeje politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit”.
“Sot nuk kishte asnjë arsye që të mos propozohej kandidati për Kryetar të Kuvendit dhe të procedohej me votimin për konstituimin e tij. Aq më tepër kur Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë në aktgjykimin e saj se Kuvendi jo vetëm duhet të mblidhet, por duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas PDK-së, mosveprimi i sotëm përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe të detyrimeve që burojnë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk ka të drejtë të mbajë peng institucionet e Republikës për interesa partiake”.
Partia Demokratike e Kosovës rithekson se Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim të plotë të Kushtetutës.

