HomeAktualeIKD: Ndërprerja e seancës cenon Kushtetutën, s’arsyetohet me mungesën e marrëveshjes

IKD: Ndërprerja e seancës cenon Kushtetutën, s’arsyetohet me mungesën e marrëveshjes

spot_img

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësimin për ndërprerjen e seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, në prag të përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e tij.

Deklarata e kreut të VV-së, Albin Kurti, se po kërkon kohë shtesë për një marrëveshje politike për çështjen e presidentit, sipas IKD, nuk mund të jetë arsyetim.

Ndërprerja e seancës cenon Kushtetutën e Kosovës, thotë Instituti.

“Megjithatë, mungesa e një marrëveshjeje politike nuk mund të shndërrohet në arsye për bllokimin e Kuvendit dhe cenimin e rendit kushtetues. Kërkesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime me partitë parlamentare dhe vendimi i kryesuesit Avni Dehari për ndërprerjen e seancës nuk kanë mbështetje në natyrën dhe qëllimin e seancës konstituive. Sipas nenit 9, paragrafit 3, të Rregullores së Kuvendit, në seancën konstituive nuk zhvillohet debat. Rrjedhimisht, kjo seancë nuk mund të përdoret për diskutime politike, kërkesa jashtë rendit të përcaktuar apo kushtëzimin e konstituimit me marrëveshje për çështje të tjera. Zgjedhja e Presidentit është çështje me rëndësi të jashtëzakonshme kushtetuese, por ajo përbën proces të veçantë dhe nuk mund të vendoset si parakusht për konstituimin e Kuvendit. Kuvendi duhet së pari të konstituohet sipas Kushtetutës, Rregullores dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Negociatat politike mund dhe duhet të zhvillohen jashtë seancës, pa e marrë peng institucionin më të lartë përfaqësues të Republikës.”

IKD ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë detyrimin e deputetëve që Kuvendi të konstituohet brenda afatit prej tridhjetë ditësh.

“Ky nuk është afat orientues dhe as çështje e vullnetit politik, por detyrim kushtetues që duhet respektuar nga secili deputet dhe nga organet që drejtojnë seancën. Fakti se Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës nuk kanë përcaktuar shprehimisht pasojën juridike për moskonstituimin brenda afatit nuk krijon leje për shkeljen e tij.

Mungesa e një sanksioni të përcaktuar nuk e bën të ligjshme shkeljen e Kushtetutës. Përkundrazi, përpjekja për ta shfrytëzuar këtë zbrazëti si hapësirë për zvarritje do të përbënte veprim kundërkushtetues, cenim të sundimit të ligjit dhe vazhdim të një praktike të rrezikshme të bllokimit të institucioneve. Kushtetuta nuk zbatohet vetëm kur parashikon ndëshkim, ajo duhet të respektohet sepse është akti më i lartë juridik i Republikës.”

Prandaj, ky institut ka kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të seancës dhe përfundimin e konstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, pa debate, pa improvizime procedurale dhe pa kushte politike.

Lajmet e Fundit

Kurti: Pa marrëveshje për presidentin, konstituimi i Kuvendit rrezikon zgjedhje të reja

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se duhet të vazhdojnë diskutimet...

Nga Bugatti te Lamborghini, Ronaldo ekspozon supermakinat e tij marramendëse

Cristiano Ronaldo ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale pasi publikoi një fotografi nga garazhi...

Kosovë,

Shkruan: Valon Murtezaj ka ardhur koha që të kujtojmë, dhe kuptojmë se, politika përveç që...

PDK: Kurti zgjodhi sërish bllokadën dhe shpërfilli aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese

Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për dështimin e seancës së sotme...

Më të lexuarat

Kosovë,

Shkruan: Valon Murtezaj ka ardhur koha që të kujtojmë, dhe kuptojmë se, politika përveç që...

Ta mbrojmë me protestë demokratike projektin e gazit amerikan dhe aleancën tonë me SHBA-në

Avdullah Hoti, ish kryeministër  Duke refuzuar projektin e Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) me prejardhje...

Xhandarmëria e Kosovës, projekt për siguri shtetërore apo deformim i rendit kushtetues?

Shkruan: Hisen Berisha  Pyetja më logjike që sot duhet ta shtrojë secili qytetar me kulturë...