Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka marrë pjesë në ndeshjen tradicionale reviale të organizuar në Podujevë, ku u bashkuan ish-futbollistët legjendarë të Llapit që jetojnë në diasporë dhe ata që janë në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi tha se kjo ndeshje organizohet çdo vit që nga viti 2017, pikërisht gjatë periudhës kur mërgimtarët kthehen në vendlindje për të vizituar familjet e tyre.
Ai vlerësoi kontributin e ish-futbollistëve të Llapit, duke theksuar se ata nuk e kanë harruar kurrë klubin e zemrës dhe se kjo trevë ka nxjerrë shumë talente që kanë lënë gjurmë në futbollin kosovar dhe më gjerë.
Ademi veçoi takimin me legjendat e klubit, Idriz Mehmeti (Belli), Esat Mehmeti dhe Rifat Hajdari, si dhe me futbollistët e tjerë të asaj gjenerate, duke theksuar se ndeshja reviale ishte një mundësi për t’u ribashkuar dhe për të kujtuar vitet e para në futboll.
Presidenti i FFK-së theksoi se shumë prej ish-futbollistëve që sot jetojnë në diasporë kanë fëmijët e tyre pjesë të ekipeve zinxhir të Kombëtares së Kosovës, duke nënvizuar se kontributi i tyre për futbollin dhe shtetin vazhdon edhe sot.
Në fund, ai falënderoi ish-futbollistët për mikpritjen dhe respektin e treguar, duke theksuar se dyert e Federatës së Futbollit të Kosovës janë gjithmonë të hapura për ta. Ademi shprehu mirënjohje edhe për FC Llapi për organizimin dhe mikpritjen në këtë aktivitet.

