Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë të ditur se në kuadër të Muajit të Mërgatës është mbajtur sesioni i dytë i Forumit Ekonomik Rahoveci 2026, ku u diskutuan mundësitë për investime dhe bashkëpunim mes bizneseve vendore dhe bashkatdhetarëve.
Përmes një postimi, Latifi tha se gjatë takimeve B2B janë shqyrtuar mundësi konkrete për investime, partneritete dhe nisma që synojnë t’i japin një shtysë të re zhvillimit ekonomik të komunës.
Ai theksoi se mërgata mbetet një nga asetet më të çmuara të Rahovecit, duke bërë të ditur se është prezantuar edhe nisma për themelimin e Drejtorisë për Investime dhe Mërgatë.
Sipas tij, kjo drejtori synon të krijojë një urë të fortë bashkëpunimi me bashkatdhetarët dhe të lehtësojë investimet në komunë.
Latifi u shpreh i bindur se bashkimi i potencialit të bizneseve lokale me përvojën, idetë dhe kapitalin e mërgatës do ta bëjë Rahovecin më të zhvilluar, më konkurrues dhe me më shumë mundësi për të gjithë qytetarët.

