Problemi teknik në kufirin Mali i Zi-Shqipëri: Të gjithë kosovarët në kërkim nga Interpoli
Disa qytetarë të Kosovës, mbrëmë kanë pritur me orë të tëra në pikën kufitare të Malit të Zi me Shqipërinë në Bozhaj për shkak se sistemi i Interpolit vazhdimisht u tregonte policëve kufitar një paralajmërim: “Find” (Gjejini), gjegjësisht bëhet fjalë për dokumente dhe persona të kërkuar në sistemin policor ndërkombëtar.
Problemi u shfaq në punën e softuerit të Interpolit, i cili për të paktën tre orë shfaqte vetëm dokumentet e kosovarëve të cilët thoshte se janë në kërkim.
Kreu i Drejtorisë së Policisë ka konfirmuar për “Vijesti.me” se problemi me softuerin është rregulluar rreth orës 20:30, pas së cilës policia ka mundur të lejojë së paku tetë qytetarë të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe gazetarë, të vazhdojnë rrugën për në Prishtinë.
Policët në pikën kufitare e kanë pasur të qartë se ndoshta ka pasur problem me aplikacionin e Interpolit, por për shkak të kontrolleve nuk kanë mundur t’i lënë qytetarët e Kosovës të kalojnë kufirin.
Një burim nga policia ka thënë për “Vijesti” se ky lloj problemi në përdorimin e aplikacionit të Interpol-it “ndodh shumë rrallë”.
“Prandaj do të kontrollojmë se çfarë e ka shkaktuar këtë”, ka thënë ky burim.