KPM dënon katër operatorë kabllorë me 100 mijë euro
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka dënuar të premten katër operatorë kabllorë në Kosovë, me 100 mijë euro. Dënimet kanë ardhur pas ankesave të qytetarëve se operatorët nuk u janë përmbajtur kushteve të kontratave me përdoruesit.
Ankesat e përdoruesve ishin në lidhje me largimin e kanaleve të DigitAlb nga operatorët e shpërndarjes.
Operatori Artmotion është dënuar me 64 mijë euro, Kujtesa me 26 mijë euro, IPKO me 7 mijë euro dhe operatori Telkos me 3 mijë euro.
“KPM duhet të veprojë konform ligjit të vet për sanksionimin e operatorëve të shpërndarjes së lartpërmendur, duke ofruar gjobën maksimale e cila lejohet brenda ligjit e që është 100 mijë euro”, tha Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së.
Mehmeti tha se KPM ka pranuar një numër të madh të ankesave që nga data 1 janar 2024 ndaj këtyre operatorëve të shpërndarjes me pretendimin se kanë hequr nga transmetimi kanale pa paralajmërim paraprak.
“Palët ankuese në ankesat e tyre kanë shprehur shqetësimin për kontratat me operatorët e shpërndarjes dhe problemet lidhur me mos zbatimin e këtyre kontratave, duke pretenduar se gjatë marrëveshjeve në mes të klientëve dhe operatorëve, klientët nuk janë informuar me kohë se kanalet e Digitalb do të ndërpriten me 1 janar 2024. Palët ankuese janë ankuar edhe për ndërprerjen e kanaleve të sportit”, tha Mehmeti duke shtuar se “palët ankuese po ashtu kanë ofruar edhe foto të reklamave që kanë bërë operatorët e shpërndarjes, duke mos hequr logot e Digitalb në ueb dhe rrjete sociale”.
Sipas KPM-së operatorët e shpërndarjes nuk ia kanë bashkëngjitur çdo përdoruesi listën e kanaleve si pjesë e kontratës të lidhur me përdoruesit, siç kërkohet me Rregulloren KPM-së.
“Bazuar në të gjeturat e monitorimit rezulton se operatorët e shpërndarjes të lartcekur, nuk e kanë njoftuar KPM-në për ndryshimin e listës së kanaleve, ashtu siç përcaktohet me Rregulloren KPM-2020/01, duke dështuar kështu të ndërmarrin veprimet e duhura në lidhje me mbrojtjen e përdoruesve, duke mos informuar përdoruesit me shkrim së paku tridhjetë (30) ditë para ndryshimeve të kushteve të shërbimeve”, sipas KPM-së.
KPM-ja tha se masat kanë për qëllim sanksionimin e operatorëve për shkeljen e Rregullores “dhe jo kompensimin e palëve ankuese”.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tha të enjten, më 18 janar, se vetëm brenda dy javëve të para të janarit, në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në MINT ishin pranuar 350 ankesa kundër operatorëve Artmotion, Kujtesa, IPKO dhe Telkos.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mbetet maksimalisht e përkushtuar për të adresuar secilën ankesë, përbrenda afateve ligjore, tek institucionet përkatëse, në mënyrë që konsumatorëve t’u mbrohet e drejta e tyre e garantuar me ligj, dhe që shkelësit e ligjit, respektivisht të drejtave të konsumatorit, të ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi”, tha ministria përmes një komunikate për media.