Pefqeli: Prishtina synon trofeun e Superkupës
Futbollisti i Prishtinës, Mërgim Pefqeli ka deklaruar se synojnë fitoren ndaj Ballkanit në kuadër të Superkupës së Kosovës, sfidë që luhet nesër.
Pefqeli mes tjerash theksoi se synimi i tyre është që së paku të arrijnë daljen në Evropë.
“Ndodhemi në fazë përgatitore dhe si çdo skuadre tjetër edhe neve po na shërben që të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Fatmirësisht grupi i futbollistëve po kompletohet dalëngadalë pasi që të gjithë po rikthehen nga lëndimet dhe po shpresojmë shumë që këtë edicion, të paktën, të arrijmë objektivin minimal të skuadrës, daljen në Evropë”, ka deklaruar Pefqeli për faqen zyrtare të Prishtinës.
“Ndërsa, përballja për Superkupë sigurisht për ne si ekip paraqet rëndësi të lartë, sepse si klub gjithmonë synojmë të gjitha trofetë e mundshëm dhe sidomos nëse na ofrohet mundësia për të luftuar për to”.
Finalja e Superkupës do të luhet nesër duke filluar nga ora 13:00 me kohën lokale në Turqi, dhe 11:00 me Kosovë.