Dhoma e Tregtisë përshëndet vendimin e BQK-së për mospranimin e valutave të tjera përveç euros

Dhoma e Tregtisë përshëndet vendimin e BQK-së për mospranimin e valutave të tjera përveç euros

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka përshëndetur vendimin e fundit të marrë nga Banka Qendrore e Kosovës për ndalimin e përdorimit të një valute të huaj në Republikën e Kosovës.

“Fatkeqësisht, përdorimi i mëtutjeshëm i dinarit serb nëpër komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës, tani e 25 vjet ka shkaktuar dhe po shkakton dëme qindra milionëshe buxhetit të Kosovës, pasi asnjë nga shitjet të cilat bëhen përmes kësaj valute nuk deklarohen në Administratën Tatimore të Kosovës. Përveç kësaj, sipas legjislacionit në fuqi përdorimi dinarit është antiligjore dhe antikushtetuese”, është thënë në njoftimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Nga 1 shkurti 2024 sipas Rregullores për Operacionet me Para të Gatshme, valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme.

“Aktualisht janë mbi 50 mijë qytetarë serbë të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pensionistët, të cilët paguhen nga shteti i Serbisë në dinarë, ndërsa punojnë në institucione paralele të shëndetësisë, arsimit dhe kulturës që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë. Si Dhomë e Tregtisë konsiderojmë se ky vendim është shumë i mirëseardhur dhe i njëjti është dashur të aplikohet edhe më parë”, është theksuar në njoftimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka theksuar se heqja e dinarit do të thotë “dëbim i serbëve pa përdorimin e armëve”.

“Pas të gjitha formave të dhunës institucionale që u përdorën kundër popullit serb nga regjimi autoritar i [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti dhe pasi nuk arriti t’i dëbojë të gjithë serbët nga Kosova, ai tani vendosi që ta ndalojë dinarin në Kosovë dhe kështu ta kërcënojë drejtpërdrejt mbijetesën fizike të popullit serb”, është thënë në reagimin e Listës Serbe.