Szunyog: Është e rëndësishme të mbahen sa më shpejt zgjedhjet në veri
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, mirëpriti vendimin e serbëve në Kosovë që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe kornizën ligjore për të mbledhur nënshkrime për peticionin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.
Ai u bëri thirrje autoriteteve lokale dhe qendrore që t’iu ofrojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm grupeve nismëtare që të iniciojnë peticionin edhe në dy komunat e tjera në veri të Kosovës Zveçan dhe Zubin Potok, të banuara me shumicë serbe.
Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq më 17 janar nisi mbledhja e nënshkrimeve, ndërsa turma e njerëzve e nisur drejt vendeve ku po mblidheshin nënshkrimet për peticionin u udhëhoq nga zyrtarët e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Mbledhja e nënshkrimeve ka vazhduar edhe më 18 janar.
“Mbajtja e shpejtë e zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës, mbetet e rëndësishme”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.
Peticioni për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë vjen pasi serbët bojkotuan zgjedhjet lokale të mbajtura prillin e vitit të kaluar, përmes së cilave u zgjodhën kryetarët shqiptarë.
Popullsia serbe në veri nuk i pranoi kryetarët shqiptarë dhe pasuan krizat të përcjella me rritjen e tensioneve.