Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka reaguar pasi është shpallur i pafajshëm për akuzat që rëndonin ndaj tij, në rastin e njohur si “Drenica 1”.
Ai ka thënë se me aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë janë përmbyllur, siç i ka quajtur ai, disa prej proceseve të gjata dhe të rënda ndaj tij.
“Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli sot aktgjykimin me të cilin u konfirmua pafajësia ime edhe ndaj akuzave për ndikim në dëshmitarë në rastin “Drenica 1”, si pjesë e aktakuzave të ngritura nga Prokuroria e EULEX-it. Ky rast shënon përmbylljen e disa proceseve të gjata e të rënda për mua, të cilat nisën para 13 vitesh, me një varg procesesh gjyqësore, me qëllim dënimin tim përmes akuzave që në thelb bazoheshin në deklarata e në dëshmitarë të rrejshëm.”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.
Postimi i tij:
Të dashur qytetarë,
Gjykata Themelore në Prishtinë, shpalli sot aktgjykimin me të cilin u konfirmua pafajësia ime edhe ndaj akuzave për ndikim në dëshmitarë në rastin “Drenica 1”, si pjesë e aktakuzave të ngritura nga Prokuroria e EULEX-it.
Ky rast shënon përmbylljen e disa proceseve të gjata e të rënda për mua, të cilat nisën para 13 vitesh, me një varg procesesh gjyqësore, me qëllim dënimin tim përmes akuzave që në thelb bazoheshin në deklarata e në dëshmitarë të rrejshëm.
Sot, sikurse në të gjitha proceset e mëparshme, gjykata vërtetoi pafajësinë time duke më shpallur të pafajshëm për çdo akuzë të ngritur ndaj meje. Kam besuar gjithmonë se e vërteta nuk mund të mposhtet dhe se, pavarësisht sfidave, vonesave e padrejtësive, ajo do të triumfojë një ditë.
Falënderoj familjen time, bashkëluftëtarët, miqtë dhe të gjithë qytetarët që më kanë qëndruar pranë e nuk e kanë humbur asnjëherë besimin tek unë.
Mbështetja juaj e vazhdueshme ka qenë forca ime gjatë gjithë kësaj përiudhe.
Faleminderit përjetësisht!
SL

