Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se gjyqtari ndërkombëtar kosovar, Genc Nuza, është deleguar nga UEFA për të ndarë drejtësinë në ndeshjen e raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League ndërmjet Gent dhe LNZ Cherkasy.
Takimi do të zhvillohet më 30 korrik në stadiumin KAA Gent Arena në Ghent, me fillim nga ora 20:30.
Nuza do të asistohet nga Fatmir Sekiraqa dhe Pashtrik Burrniku, ndërsa gjyqtar i katërt është caktuar Erdall Zasella.
Sipas FFK-së, ky delegim është një tjetër vlerësim i rëndësishëm nga UEFA dhe dëshmi e besimit të vazhdueshëm në profesionalizmin dhe cilësinë e gjyqtarëve kosovarë në garat ndërkombëtare.
Federata u ka uruar suksese gjyqtarëve kosovarë dhe një paraqitje sa më të mirë në këtë sfidë evropiane.

