Trusti përmbyll vitin 2023 me rritje rreth 90 milionë euro

Trusti përmbyll vitin 2023 me rritje rreth 90 milionë euro

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka njoftuar se ka përmbyllur vitin 2023 me +87.7 milionë euro kthim bruto nga investimet.

“Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e përmbylli vitin 2023 me +87.7 milionë euro kthim bruto nga investimet. Ky ishte viti i 19-të, nga gjithsej 22 vite të operimit, ku institucioni del me rezultat pozitiv nga investimi i kursimeve pensionale. Kjo shpiu në +750 milionë euro kthim të gjithëmbarshëm bruto prej themelimit.

Arkëtimi i kontributeve të reja në 2023-shin, në vlerë 286 milionë euro, pasqyron një rritje rekorde krahasuar me vitin paraprak, si në vlerë nominale (+44 milionë euro) por edhe si përqindje (+18.2 për qind). Kontributet e reja, bashkë me kthimin në investime, ndryshe nga tërheqjet e kursimeve dhe tarifat, kanë kontribuuar pozitivisht që mjetet neto nën menaxhim të FKPK-së të rriten sivjet për +291 milionë euro dhe ta kështu tejkalojnë vlerën e 2.7 miliardë eurove”, ka njoftuar Fondi i Kursimeve Pensionale.