Vrasja e Liridonës: Shteti i Suedisë po i vëzhgon hetimet e Prokurorisë

Vrasja e Liridonës: Shteti i Suedisë po i vëzhgon hetimet e Prokurorisë

Në paraburgim për këtë rast janë katër persona, përfshirë edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli, që dyshohet se e porositi vrasjen.

Misteri vazhdon ta mbulojë rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Hetimet për ta zbardhur këtë rast po vazhdojnë.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës i kanë thënë Gazetës Express se për këtë rast janë duke u zhvilluar hetime intensive. Në këtë fazë, deklarojnë se s’mund të ofrojnë informacione tjera për të ruajtur integritetin e hetimeve.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se ndaj rastit në fjalë janë duke u zhvilluar hetime intensive, andaj në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera për shkak të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor”, thuhet në përgjigjen e Laureta Ulajt, zëdhënëses së Prokurorisë.

30-vjeçarja me shtetësi suedeze u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Bërrnicë të Komunës së Prishtinës. Për vrasjen e saj janë arrestuar tre persona, e cila sipas dosjeve të hetuesisë dhe prokurorisë, dyshohet se ishte inskenuar. Vrasja e saj dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, me të cilin Liridona kishte dy fëmijë.

Vrasjen dyshohet se e ka kryer Granit Plava, pasi Murseli ia kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK’së. Sipas raportimeve, ai ia kishte gjetur dorasin Murselit.

Të tre këta janë arrestuar ditën kur u varros Liridona, saktësisht disa orë pas ceremonisë së varrimit.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhej në njoftimin e Gjykatës.

Ndërkohë, më 9 dhjetor është arrestuar edhe një person tjetër për këtë rast. I dyshuari i katërt është T.D., nga Novosella e Gjakovës. Ai dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit.

Motivi i vrasjes ende nuk dihet.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar para disa javësh se po hetohen disa pista, por ende nuk mund të bëhen publike derisa të ketë një përfundim të qartë mbi motivin e vrasjes.

“Procesi hetimor vazhdon në disa faza. Policia në këtë rast është treguar shumë efikase dhe profesionale. Në afat rekord ka sqaruar vrasjen dhe ka arritur të arrestojë personat e përfshirë në këtë rast. Mbetet të zbulohet për motivin e kësaj vrasjeje. Jemi duke hetuar disa pista, por s’mund të bëj publike asgjë, derisa të kemi të kemi të qartë motivin”, ka thënë Hoxha në Frontal të T7.

Ai kishte thënë se për rastin mund të ketë edhe arrestime tjera.

“Nuk kanë përfunduar arrestimet, kjo varet nga zhvillimet tjera që mund të dalin. S’mund të paragjykoj nëse do të ketë apo s’do të ketë. Mirëpo kjo nuk është e tëra edhe pse është sqaruar pothuajse e gjitha”, ka thënë Hoxha.

I pyetur nëse është kapur nga kamerat e sigurisë momenti i vrasjes së Liridonës, Hoxha kishte thënë se në vendin ku ka ndodhur krimi nuk ka kamera.

“Momenti i vrasjes s’është i fokusuar. Ka qenë një zonë që s’është kapur nga kamerat”, ka thënë tutje ai.

Hetimet po vëzhgohen nga Suedia

Hetimet për këtë rast po vëzhgohen edhe nga Suedia, meqë Liridona dhe Naimi ishin shtetas suedez.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë kanë deklaruar për Gazetën Express gjatë dhjetorit se mund të konfirmojnë arrestimin e një burri rreth të 30’ve në Kosovë, duke aluduar për Murselin dhe se me rastin po merret ambasada suedeze në Prishtinë.

Informacione të tjera kanë thënë se s’mund të ndajnë, për shkak të konfidencialitetit.

“Ministria suedeze e Punëve të Jashtme mund të konfirmojë se një burrë rreth të 30-ave është arrestuar në Kosovë. Ambasada e Suedisë në Prishtinë po merret me këtë çështje. Dispozitat e fshehtësisë në çështjet konsullore parandalojnë zbulimin e çdo informacioni të mëtejshëm. Të gjitha pyetjet në lidhje me ndonjë hetim policor ia referojmë policisë në Kosovë”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Media të MPJ’së së Suedisë.

Informacione s’kanë pranuar të ndajnë as Policia e Suedisë. Në pyetjet që i ka drejtuar Gazeta Express tek ky institucion, përfshirë edhe një nëse Murseli ka të kaluar kriminale atje, Policia suedeze ka thënë se ligjet e privatësisë s’ua lejojnë të përgjigjen në të tilla pyetje.

“Policia suedeze nuk është në gjendje të ndihmojë me përgjigjet e pyetjeve që ju i keni bërë autoritetit policor në emailin tuaj. Kjo në lidhje me legjislacionin suedez të privatësisë”, thuhet në përgjigjen e policisë suedeze për Express.

Lidhur me këtë rast, kishte folur edhe Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Ëesterlund.

Ai kishte thënë se shteti suedez po punon ngushtë me autoritetet e Kosovës për hetimin e këtij rasti, të cilin cilësoi “mister”.

“Ne jemi duke punuar pandërprerë rreth këtij rasti së bashku me autoritetet lokale të Kosovës. Ky është një rast shumë i ndjeshëm dhe ka shumë mister rreth këtij rasti, nuk mund të them më shumë, jemi duke punuar në këtë rast bashkë me autoritetet”, kishte thënë ambasadori.

Si u tentua të fshehej rasti?

Rasti i vrasjes së Liridonës ishte tentuar të fshehej. Rasti fillimisht ishte kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.

Në raportin 24 orësh të Policisë, një ditë pas ngjarjes, thuhej se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.

“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë 29.11.2023 –20:26. Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Ndërkohë, babai i Naim Murselit, Shaban Murseli, kishte dhënë një version, ku sipas tij, Liridona kishte në çantë 3 mijë euro dhe se kishte rezistuar.

“Sipas çdo informacioni që kam, këta ishin duke u vendosur në shtëpi të re. Liridona kishte pasur një shumë të konsiderueshme në çantë dhe ka bërë rezistencë. Kanë pasur diku te 3 mijë euro. Naimi ishte duke ngarë makinën. Ata i kanë dalë me armë para makinës. Kur ju kanë dalë me armë, Naimi e ka kuptuar se do të vriten të gjithë dhe ka ikur nga makina. Flitet dhe një variant tjetër ku ka hapur derën e fëmijëve dhe i ka thënë bashkëshortes; ik, por ajo ka bërë rezistencë. Por mund të jetë ngatërruar me rripin e sigurimit pasi ishte stresi.”, kishte deklaruar ai për media.