LDK-ja: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, prijës shpirtërorë të kauzës për liri
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar kolosët e lëvizjes për liri e demokraci, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, kujton dhe nderon jetën e veprën e tre kolosëve të lëvizjes për liri e demokraci, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Veprimtaria e tyre ishte shkas i përndjekjes dhe persekutimit politik. Kjo politikë shfarosëse ndaj një elite intelektuale dhe atdhetare që zbatoi regjimi jugosllav i detyroi ata të mërgonin në Gjermani. Por, edhe në shtetin gjerman ata nuk u lanë të qetë”, ka shkruar Abdixhiku.
Sipas tij, regjimi kriminal jugosllav përmes shërbimit sekret i donte medoemos të vdekur, raporton Klan Kosova.
“Angazhimi i pashoq për vendlindjen edhe prej mërgimit, nuk i shkonte për shtati Jugosllavisë. Jusufi edhe nga larg përmes poezisë dhe këngës; ‘Do të kthehem nënë’ e kishte paralajmëruar kthimin e tij në vendlindje. Malli dhe nostalgjia për vendlindjen e groposte thellë në shpirt por, ai do kthehej vetëm në arkivol tek vendi i tij, në Dubovikun që aq shumë e donte ku gjithnjë nëna Ajshe e priste tek dera”, ka shtuar ai.
Më tej, ai ka thënë se vrasja e kolosëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka ishte tronditje e madhe; përderisa eliminimi ishte vetëm fizik; ata u shndërruan në prijës shpirtërorë të kauzës për lirinë e Kosovës dhe udhërrëfyes për gjenerata të tëra që po vinin dhe po bartnin mbi supe organizimet më të mëdha politike e ushtarake të kohës për ta çliruar dhe pavarësuar shtetin e Kosovës.