Ballkani është mposhtur me rezultat 2:1 nga skuadra irlandeze, Bohemians në ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues të UEFA Conference League, të zhvilluar të mërkurën mbrëma në Dublin.
Skuadra kosovare kaloi e para në epërsi në minutën e 29-të, kur Toni Domgjoni u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke i dhënë avantazhin Ballkanit.
Vendasit barazuan shifrat në minutën e 76-të me anë të Douglas James-Taylor, ndërsa goli i fitores për Bohemians u realizua në minutën e 89-të nga Ross Tierney, me një gjuajtje të fortë nga distanca.
Pavarësisht humbjes, Ballkani mbetet ende me shpresa për kualifikim, pasi ndeshjen e kthimit do ta zhvillojë pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri”.

