Përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë kujtuar 22 korrikun 2010, 16-vjetorin e Opinionit Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila konstatoi se miratimi i deklaratës së pavarësisë të 17 shkurtit 2008 nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Në përfundimin e saj, Gjykata konstatoi: “Gjykata ka konkluduar se miratimi i deklaratës së pavarësisë të 17 shkurtit 2008 nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 (1999) ose Kornizën Kushtetuese. Si rrjedhim, miratimi i asaj deklarate nuk ka cenuar asnjë rregull të zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kjo datë është një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e shtetit tonë dhe një referencë e rëndësishme në zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare.
“Duke konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, GJND-ja i dha fund një prej pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë dhe mëvetësisë sonë. Ky opinion riafirmoi një parim me vlerë universale: e drejta ndërkombëtare nuk ekziston për të ruajtur padrejtësinë apo për ta bërë historinë të pakthyeshme, por për të krijuar hapësirë që paqja, liria dhe vetëvendosja demokratike të gjejnë shprehje brenda rendit juridik ndërkombëtar. Kur e drejta interpretohet me integritet, ajo nuk bëhet pengesë për lirinë, por garanci e saj”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale.
Ai ka theksuar se për Kosovën, ky ishte një moment që forcoi themelet e subjektivitetit tonë ndërkombëtar. “Për bashkësinë ndërkombëtare, ishte një sqarim i rëndësishëm se e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e pavarësisë dhe se secili rast duhet të vlerësohet mbi faktet dhe normat që e karakterizojnë. Mbrojtja më e mirë e kësaj trashëgimie nuk është vetëm ta kujtojmë atë, por ta justifikojmë çdo ditë: me institucione demokratike, me sundim të ligjit dhe me një Republikë që e forcon legjitimitetin e saj përmes punës, zhvillimit dhe përgjegjësisë”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se opinioni i GjND-së, u shpall nga kryetari i atëhershëm i Gjykatës, profesori Hisashi Oëada, i cili vitin e kaluar u dekorua nga Universiteti i Prishtinës me titullin e lartë “Doctor Honoris Causa”, për kontributin e jashtëzakonshëm akademik, angazhimin jetësor në fushën e drejtësisë ndërkombëtare dhe promovimin e paqes globale.
Ish-presidentja Vjosa Osmani, ka theksuar se 22 korriku 2010 ishte momenti i dështimit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).
“Mirënjohje për të gjithë ekipin me të cilin punuam bashkë për këtë rezultat historik për Republikën tonë”, ka shkruar Osmani.
Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, përmes një postimi në “Facebook”, e cilësoi vendimin e GjND-së si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Sipas tij, shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 u vulos me opinionin këshillëdhënës të GjND-së më 22 korrik 2010, duke konfirmuar shtetësinë dhe të drejtën e Kosovës të fituar me luftën çlirimtare.
Haradinaj theksoi se Kosova duhet të vazhdojë të ndjekë vlerat perëndimore dhe të thellojë partneritetin me miqtë dhe aleatët e saj, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rruga e vetme për arritjen e objektivave shtetërore.
Në fund të postimit të tij, ai u shpreh me mesazhin: “Zoti e bekoftë Kosovën!”
Edhe ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, ka thënë se ky opinion përbën një nga dokumentet më të rëndësishme juridike në mbështetje të legjitimitetit dhe legalitetit të pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Ai konfirmoi se shpallja e pavarësisë ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe forcoi më tej pozitën ndërkombëtare të Kosovës, duke shërbyer si një pikë e rëndësishme referimi në zhvillimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. 16 vjet më pas, ky opinion mbetet një dëshmi e fuqisë së drejtës ndërkombëtare dhe një gur themeli në konsolidimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kiçmari në “Facebook”.

