Haradinaj takon Hasanin, pret ndihmën e Shqipërisë për Kosovën në NATO
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Igli Hasanin.
Në takim, Haradinaj e vlerësoi angazhimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të Kosovës në shumë çështje.
“Projekti i hekurudhës i inicuar në qeverinë tonë, që tani po bëhet realitet ndryshon epokën e shqiptarëve. Në këto etapa vendimtare kërkojmë mbështetjen e qeverisë shqiptare, tani në veçanti kur e dimë që Shqipëria udhëheq shumë iniciativa rajonale, siç është Karta e Adriatikut dhe disa të tjera”, shkroi Haradinaj.
Tutje, Haradinaj tha se Kosova e Shqipëria duhet të kenë pozicion sa më të qartë e më unik në rpaort me interesin kombëtar dhe të dy shteteve.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim kryesor i yni si shtet, si garancë për më shumë stabilitet në rajon e botë. Krahas mbështetjes së aleatëve tanë perëndimorë në krye me SHBA-të, roli i Shqipërisë është tejet i rëndësishëm në arritjen e këtij objektivi por edhe në proceset e tjera euro-integruese të Kosovës”, tha ai.