Ish-kryetari i Komunës së Junikut nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Agron Kuçi, ka reaguar pas zgjedhjes së Kryesisë së re të partisë, duke kërkuar që strukturat drejtuese të ndërtohen mbi meritokracinë dhe mbështetjen e anëtarësisë.
Në një postim në ‘Facebook’, Kuçi thekson se çdo parti politike që synon të fitojë besimin e qytetarëve duhet ta nisë nga vetja, duke siguruar që strukturat drejtuese të mos jenë rezultat i imponimit, interesave të ngushta apo marrëveshjeve të mbyllura, por i meritës, kontributit dhe mbështetjes reale.
Sipas tij, në të gjitha nivelet e organizimit duhet të përfaqësohen njerëz të njohur për punën, integritetin, përgjegjësinë dhe përkushtimin e tyre, duke e cilësuar këtë si kusht të domosdoshëm për fitimin e besimit të qytetarëve.
Kuçi thekson se kjo përgjegjësi është edhe më e madhe për partitë opozitare, pasi qytetarët presin një opozitë që bashkon dhe mobilizon, e jo që prodhon pakënaqësi dhe përçarje.
Ai shton se asnjë lider nuk e forcon partinë duke anashkaluar njerëzit me kredibilitet dhe duke promovuar figura pa mbështetje qytetare, pasi një qasje e tillë, sipas tij, dobëson unitetin, ul motivimin e aktivistëve dhe zbeh besueshmërinë e subjektit politik.
Në fund të reagimit, Kuçi vlerëson se partitë e forta ndërtohen mbi meritokracinë, përfaqësimin dhe respektin për kontributin, duke theksuar se qytetarët votojnë njerëzit që i njohin, u besojnë dhe i kanë parë të punojnë me ndershmëri.
Reagimi i tij:
Çdo parti politike që synon të fitojë besimin e qytetarëve duhet ta fillojë nga vetja. Strukturat drejtuese nuk duhet të jenë produkt i imponimit, interesave të ngushta apo marrëveshjeve të mbyllura, por rezultat i meritës, kontributit dhe mbështetjes reale që individët gëzojnë në elektorat.
Në çdo nivel organizimi – nga nëndega, te dega dhe deri në qendër – duhet të përfaqësohen njerëz që njihen për punën, integritetin, përgjegjësinë dhe përkushtimin e tyre. Kjo nuk është vetëm çështje drejtësie ndaj anëtarësisë, por edhe kusht i domosdoshëm për të fituar besimin e qytetarëve.
Kjo përgjegjësi është edhe më e madhe për partitë opozitare. Qytetarët presin një opozitë që bashkon, frymëzon dhe mobilizon, jo një opozitë që prodhon pakënaqësi, përçarje dhe zhgënjim. Nuk mund të kërkohet besimi i qytetarëve, nëse brenda partisë nuk respektohet vullneti i anëtarësisë dhe nuk vlerësohen ata që për vite të tëra kanë mbajtur gjallë organizimin politik.
Asnjë lider nuk e forcon partinë duke anashkaluar njerëzit me kredibilitet dhe duke promovuar figura pa mbështetje qytetare. Përkundrazi, kjo e dobëson unitetin, ul motivimin e aktivistëve dhe zbeh besueshmërinë e subjektit politik.
Partitë e forta ndërtohen mbi meritokracinë, përfaqësimin dhe respektin për kontributin. Ato fitojnë kur çdo aktivist ndien se puna, sakrifica dhe mbështetja e qytetarëve vlerësohen drejt.
Në fund, janë qytetarët ata që japin verdiktin. Ata nuk votojnë emra të imponuar; votojnë njerëz që i njohin, u besojnë dhe i kanë parë të punojnë me ndershmëri. Pikërisht ky duhet të jetë standardi mbi të cilin ndërtohet çdo strukturë politike që synon të jetë alternativë serioze dhe fituese!

