Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka njoftuar se Këshilli i Përgjithshëm i partisë, i dalë pas zgjedhjeve të brendshme, ka votuar përbërjen e re të Kryesisë dhe ka funksionalizuar organet kryesore të Aleancës.
Sipas Gjinit, janë themeluar dhe funksionalizuar Këshilli i Kryetarëve të Degëve, Këshilli i Nderit, Kolegjiumi i Ekspertëve të Aleancës, Kolegjiumi i Anëtarëve të Kuvendeve Komunale dhe Kolegjiumi i Drejtorëve të Aleancës.
Ai theksoi se ky proces përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e strukturave të partisë dhe në përgatitjen për sfidat politike që e presin Aleancën.

Gjini shtoi se Kryesia e re përfaqëson një ndërthurje të përvojës dhe energjisë së re, me synimin për të udhëhequr me përgjegjësi proceset politike dhe organizative të partisë.
Në fund, ai uroi të gjithë të zgjedhurit për detyrat e reja, duke theksuar se AAK-ja mbetet e përkushtuar për një Kosovë më të zhvilluar, më të sigurt dhe më të fuqishme.

