Rrëfimi i hoxhë Tërshanit, i cili i varrosi viktimat e Masakrës së Reçakut
Në një rrëfim për masakrën që tronditi diplomacinë botërore e që u quajt edhe si “masakër kundër njerëzimit”, hoxhë Isë Tërshani ka shpalosur dhimbjen dhe tmerrin që mbizotëroi më 15 janar të vitit 1999 në Reçak të Shtimes.
Hoxhë Isë Tërshani, që varrosi viktimat e Masakrës së Reçakut, në RTV Dukagjini, ka thënë se sa herë vjen 15 janari, shpirtrat e qytetarëve të Kosovës, me theks te familjarët e të masakruarve të Reçakut ringjallen ndjenjat e tmerrit, të dhimbjes, të trishtimit, por njëkohësisht edhe ndjenjat e krenarisë.
“Ata njerëz, ata burra, ato gra sakrifikuan jetën e tyre për gjënë më të shtrenjtë, për lirinë e këtij vendi”, ka thënë hoxhë Tërshani.
“Si u njoftova për Masakrën e Reçakut, ditën e nesërme isha në xhami përkundër krismave të shumta që u dëgjuan në natën e 15 janarit, ne në qytezën e Shtimes nuk kishim informacione se çfarë kishte ngjarë në Reçak. Ndërsa, para namazit të drekës, disa persona na treguan se në Reçak kishte ndodhur një masakër e madhe, një tmerr i paparë, një ‘kasaphane’”, ka thënë hoxhë Tërshani.