740 milionë euro do të shpenzojë Serbia këtë vit për blerje armësh
Serbia vazhdon të armatoset. Rreth 740 milionë euro ky vend do të shpenzojë këtë vit për blerjen e armatimeve të ndryshme.
Pasi Departamenti Amerikan i Shtetit miratoi shitjen për Kosovën të raketave antitank e pajisjeve tjera në vlerë 75 milionë dollarë, zyrtari i Ministrisë se Mbrojtjes të Serbisë, Nemanja Staroviq, foli për investimet e këtij shteti në ushtri. Tha se ato nuk kanë të bëjnë me blerjen e armëve nga Kosova.
“Nuk është serioze të flasim për faktin se ky raund i ri i investimeve në Forcat e Armatosura ka të bëjë me ndonjë lloj blerjeje të re që bëhen per Forcat e Sigurisë së Kosovës, pasi ne kemi qenë duke punuar intensivisht për modernizimin në 10 vitet e fundit”, ka deklaruar Nemanja Staroviq, Sekretar Shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.
Njoftimi i fundit nga ShBA-ja per t’i shitur armatim Kosovës, për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq, është zhgënjim i madh. Por, përfaqësues të NATO-s në Beograd, thonë se NATO nuk mbështet procesin e blerjes së së armëve nga Kosova dhe kjo çështje nuk ka lidhje me misionin e tyre në Kosovë.
“Dua të konfirmoj atë që tha Sekretari i Përgjithshëm se NATO nuk e mbështet Forcat e Sigurisë së Kosovës. NATO nuk shet armë, shtetet e bëjnë këtë dhe kjo është e drejta e tyre. Por dua të theksoj se KFOR-i i përmbahet mandatit të tij bazuar në Rezolutën 1244 dhe vepron në përputhje me rrethanat”, ka thënë Giampiero Romano, Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd.
Këto deklarime u bënë në Beograd, ku u mbajt një konferencë në të cilën u tha se Serbia do të vazhdojë me politikën e neutralitetit ushtarak, por edhe do të bashkëpunojë me NATO-n.