Ish-komandant “Guri” thotë se Perëndimi e di “të vërtetën” e Reçakut, por s’e pranon asnjëherë
Goran Radosavleviq, ish-komandant i Xhandarmërisë serbe, ka thënë se Perëndimi “asnjëherë nuk do ta pranojë të vërtetën” për masakrën e Reçakut.
Këtë deklaratë, gjenerali serb në pension, i njohur si “Guri”, e ka dhënë gjatë ditës së sotme në transmetuesin publik serb, ndërsa ka nënkuptuar për të vërtetën serbe.
Në këtë intervistë, “Guri” ka thënë se në masakrën e Reçakut nuk kishte civilë, ndërsa ka theksuar se në aksionin policor është likuiduar “një grup terrorist” i cili, sipas tij, “përbënte një kërcënim të madh si për civilët ashtu edhe për policinë”.
“Të gjithë e dinë të vërtetën për Reçakun, por Perëndimi nuk do ta pranojë kurrë se aksioni i policisë ishte legjitim”, tha për RTS gjenerali i pensionuar i policisë serbe, Goran Radosavleviq, transmeton Klankosova.tv.
Duke folur për aksionin në Reçak, ku u vranë dhe masakruan 45 shqiptarë, gjenerali në pension i policisë serbe thotë se vetë aksioni ishte planifikuar në bazë të të dhënave operative dhe ngjarjeve në terren.
“Aksioni ishte i përgatitur për një kohë të gjatë, ai fshat ishte etnikisht i pastër, nuk kishte serbë në të, por ne kishim informacion të mjaftueshëm për të kryer aksionin, ne e vëzhguam fshatin dhe e dinim se në të nuk kishte civilë, por se terroristët ishin të vendosur në një shtëpi dhe në shkollën e fshatit Reçak, ata prisnin ardhjen tonë, por nuk e dinin se kur”, tha Radosavleviqi.
Fakti që policia nuk ka siguruar vendin e ngjarjes, pohon ai, nuk ka ndikuar në vetë aksionin.
“Sa i përket pasojave, Republika Federative e Jugosllavisë do të ishte bombarduar edhe pa të. Është vetëm një nga lëshimet që vendi nuk u sigurua, policia u largua nga fshati dhe nuk mund të pretendoj se kush është përgjegjës. Në vetë operacionin, u likuidua një grup i madh terrorist, i cili përbënte kërcënim si për civilët ashtu edhe për policinë që po lëvizte përgjatë rrugës për në Ferizaj”, tha ish-gjenerali serb i policisë.
Sipas tij, shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, ka hyrë në Reçak, siç shprehet ai, “me terroristët gjatë natës, ku kanë sjellë trupa nga vende të tjera”.
“Ne e kishim të qartë se ishte një montazh që do të rezultonte me bombardimin e vendit, por që tashmë pritej. Të vërtetën e dinë të gjithë që nga dita e parë, megjithatë Perëndimi nuk do ta pranojë kurrë se aksioni i policisë ishte legjitim. Ne nuk u frikësuam as atëherë e as më pas, sepse e dinim se po punonim për vendin tonë”, u shpreh ai në këtë intervistë.
Ish-komandant “Guri” konsiderohet si një prej urdhërdhënësve për kryerjen e Masakrës së Reçakut.
Ai po ashtu dyshohet se është i përfshirë edhe në vrasjen e tre vëllezërve Bytyqi, shtetas amerikanë. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara e kishin vendosur në listë të sanksioneve atë që nga dhjetori i vitit 2018, për shkak të siç ishte thënë: “Radosavleviq besohet se është i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyqi më 1999”.
Fondi për të Drejtën Humanitare disa herë ka thënë se Goran Radosavleviq ishte udhëheqës i kampit në Petrovo Sellos, ku u vranë vëllezërit Bytyqi. Sipas kësaj organizate me seli në Beograd, në këtë kamp asgjë nuk ka ndodhur pa dijeninë e tij.
Më 15 janar, 1999, në Reçak u krye një prej masakrave më mizore. Aty u vranë 45 shqiptarë. Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe. Serbia refuzon të pranojë të ketë kryer masakër.
Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes. “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”.
Lajmi i masakrës senzibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s.