“Jam i lumtur që kam shënuar”

“Jam i lumtur që kam shënuar”

Ka ndeshje me rezultat katastrofik dhe më në fund vjen fitorja. “Blutë” e Napoli nuk kanë zhgënjyer mesditën e kësaj të shtune, teksa në “mitikun” e qyteti, “Diego Armando Maradona” kanë mundur me rezultatin e ngushtë, 2 me 1, skuadrën e Salernitana në përballjen e vlefshme për javën e 20-të të kampionatit italian të futbollit, Serie A.

Pas ndeshjes disa fjalë për mediat i tha edhe qendërmbrojtësi “Dardan”, Amir Rrahmani, i cili me golin e tij në minutën e 96’-të të sfidës i dhuroi fitoren skuadrës së tij. Kapiteni i Kombëtares së Kosovës u shpreh tejet i lumtur për goin e shënuar, teksa më tej shtoi se do të japin maksimumin për të kapërcyer këtë sezon të vështirë.

“Ka gjithçka në këtë fitore, tension dhe situata të vështira, duke e gjetur veten si kampion i Italisë dhe arritja e këtyre rezultateve nuk është e lehtë, sivjet do të jetë kështu, edhe sot kemi vuajtur shumë duke pësuar gol, por fatmirësisht e kemi kthyer, jemi të kënaqur me rezultatin, shpresojmë ta kemi këtë fat edhe në të ardhmen”.

Topi erdhi jo i pastër, e ndalova dhe godita në portë pa u menduar shumë, Të shënosh gola është gjithmonë bukur, jam i lumtur që kam shënuar. Do të përpiqemi të japim maksimumin për ta kapërcyer këtë vit që ka qenë dhe do të jetë shumë i vështirë”, u shpreh tejet i lumtur, “yllin” i kampionëve në fuqi të Italisë.