Rafuna thotë se sektori privat dhe ai publik duhet lëvizin me paga

Rafuna thotë se sektori privat dhe ai publik duhet lëvizin me paga

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se në dy vitet e fundit ka një lëvizje të rinjve dhe të rejave nga Kosova, si të fuqisë punëtore të kualifikuar dhe asaj të pa kualifikuar.

Në një intervistë për “Telegraf-in”, ai ka thënë se me liberalizimin e vizave lehtësohet rruga për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian, dhe për të rënë më lehtë kontakt me punëdhënësin, pra më lehtë për të lidhur kontratë pune.

“Siç e kemi pa në media, në Gjermani më nuk ke nevojë që të kthehesh mbrapa në Kosovë ta kërkosh një vizë pune, mirëpo shkon drejtpërdrejt në komunën ku e ke gjetur punën dhe aty do të pajisesh me dokumente për punë”, theksoi ai.

Rafuna thotë se këto shqetësime kanë shtyrë bizneset që të gjejnë mënyra tjera që të vërejnë sa më pak mungesën e fuqisë punëtore. “Po nga ikja e punëtorëve, më së shumti do të jenë të prekur sektori i gastronomisë, sektori i ndërtimtarisë, dihet që këtu dominon përqindja më e lartë e fuqisë punëtore të pakualifikuar dhe ata janë fuqia punëtore e pakualifikuar janë më shumë të prirë që të dalin jashtë. Nuk them që s’janë edhe fuqia punëtore e kualifikuar, mirëpo kjo e pakualifikuar është më e prirë që të dalin jashtë dhe të kërkojnë kushte më të mira”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai tha se edhe nga anketat që kanë realizuar me 500 biznese, del se 70% prej tyre janë të shqetësuar me mundësinë e mungesës së personelit të kualifikuar.

Gjatë intervistës, Rafuna thotë se sektori privat dhe ai publik duhet lëvizur me paga, dhe duhet ofruar kushte më të mira punëtorëve.

“Unë jam që ende me pas lëvizje të sektorit privat sa i përket pagave por jam që edhe sektori publik me lëvizë me paga”, tha mes tjerash ai.

Gjithashtu, ai theksoi së punëdhënësit përveç rritjes së pagave duhet ofruar edhe kushte tjera siç janë bonuse, ushqime etj.