Shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri thyen rekordin rreth 440 milionë euro
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka bërë një studim rreth shkëmbimeve tregtare Kosovë-Shqipëri për vitin 2023.
Nga ky studim del se ato janë rritur dukshëm në krahasim me vitin 2022.
“Shkëmbimet tregtare mes dy shteteve tona Kosovë-Shqipëri për vitin 2023 thyen rekordin me importe dhe eksporte mes bizneseve, ku Kosova ka importuar nga Shqipëria rreth 326 milionë euro, kurse bizneset e Kosovës kanë eksportuar 113 milion euro. Nëse e krahasojmë me vitin 2022 shkëmbimet tregtare ishin 356 milionë euro, kurse në vitin 2023 ishin 439 milionë euro apo rritje rreth 83 milionë euro ose mbi 23 për qind më shumë”, thuhet në këtë studim të AKB-së.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se pavarësisht raporteve politike dhe qeveritare, bizneset, qytetarët dhe konsumatorët në të dy anët rritin bashkëpunimin dhe besimin e ndërsjellë në të mirë të rritjes së ekonomisë kombëtare.