
Deputetët shënojnë dështimin e 37-të
Pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile në vend kanë protestuar në hyrje të Kuvendit të Kosovës të mërkurën, teksa deputetët e zgjedhur u mblodhën për herë të 37-të dhe prapëseprapë dështuan ta bëjnë Kuvendin e ri, katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja.
Derisa deputetët po hynin në ndërtesë, pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile u rreshtuan pranë hyrjen duke mbajtur në dorë pankarta me mbishkrime si, “Deri kur?”, “Boll!”, “Unë jam deputet/e bllokues/e”, “Cirku i Republikës së Kosovës”, “Karriget janë për punë, jo për pushtet”, “Loja juaj, pasojat tona” dhe “Deputetë veç në letër”, etj.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, i kritikoi deputetët për mungesë përgjegjësie dhe e përshkroi bllokadën si “tragjikomike”. /Rel