
Mbi 37 mijë banorë rezidentë e lëshuan Kosovën në vitin 2024
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar vlerësimin e popullsisë për vitin 2024. Sipas vlerësimit, gjatë vitit 2024, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore prej 10,888 banorësh.
Vendbanimin (komunën) e tyre e ndërruan 21,513 banorë. Kurse, imigruan në Kosovë 9,038 banorë. Derisa emigruan 37,451 banorë.
Bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) për vitin 2024 ishte -28,413 banorë. Ndërkaq, popullsia rezidente e Kosovës në vitin 2024 u zvogëlua për 17,525 banorë.
Popullsia e vlerësuar e Kosovës në vitin 2024 ishte 1 585 590 banorë rezidentë.
Të dhënat vjetore statistikore për popullsinë (demografinë) janë themelore për studimin dhe përcaktimin e një game të gjerë analizash. Ato përbëjnë komponentin thelbësor për vlerësimin e llogarive kombëtare, punësimit dhe çështjeve të tjera socio – ekonomike.
Vlerësimi i numrit të popullsisë është domosdoshmëri, praktikë dhe standard që kërkohet të bëhet çdo vit nga institucionet zyrtare të statistikave të një vendi. Kjo, për faktin se në periudhën ndërmjet dy regjistrimeve të popullsisë (periudhë dhjetëvjeçare) ndodhin ndryshime të theksuara në popullsinë e një vendi.