E drejta për të mos bashkëpunuar nuk është e drejtë për të bllokuar shtetin

E drejta për të mos bashkëpunuar nuk është e drejtë për të bllokuar shtetin

Nga Hisen Berisha

Kosova po kalon një nga momentet më të rënda të krizës së brendshme politike që nga shpallja e pavarësisë. Zgjedhjet janë mbajtur, populli ka folur, por institucionet nuk po formohen. Kuvendi nuk është konstituuar ende, çka do të thotë se vendi ndodhet në një ngërç institucional me pasoja të thella kushtetuese dhe politike.

Në vend se të ecim drejt një rrotacioni normal të pushtetit, kemi përballë një sjellje bllokuese që nuk njeh as rezultat, as përgjegjësi, dhe që po paralizon jetën institucionale të vendit. Kjo situatë nuk është më vetëm krizë politike.
Ajo ka kapërcyer në krizë të funksionimit të shtetit, të sovranitetit dhe të orientimit strategjik të Kosovës.

Jemi në situatë kur po pretendohet që pushteti personal të vëhet mbi interesin e shtetit!
Mungesa e gatishmërisë për të lejuar konstituimin e Kuvendit është tashmë një akt politik i paramenduar. Sepse me moszgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, bllokohet vetë afati kushtetues për formimin e qeverisë së re. Kjo nuk është më vetëm taktikë – është strategji për të zvarritur zëvendësimin e pushtetit, dhe për të mbajtur peng mekanizmat demokratikë që sigurojnë ndërrimin e qeverive në mënyrë paqësore.
Ky bllokim vjen nga një kryeministër që nuk ka fituar shumicën që ti konstituoj i vetëm institucionet, por refuzon të pranojë realitetin, tenton të imponoj votimin sipas kursit të tij autokratik dhe të diktoj edhe sjelljen e partive tjera të spektrit politik, si dhe tenton të sillet si i pazëvendësueshëm. Kjo është një qasje e rrezikshme për një demokraci të brishtë si e jona. E drejta për të mos bashkëpunuar nuk përfshin të drejtën për ta mbajtur peng shtetin.

Opsionet e partive politike nga Qeveria tranzitore, gatishmëria për koalicione e partive me numra simbolik, deri te sfida për ta bërë qeverinë nga partia dytë fituese janë përpjekje për kthimin e funksionalitetit.
Në këtë kaos institucional, oferta e LDK-së për krijimin e një qeverie tranzitore, e mbështetur në një dokument me 15 pika, është për t’u përshëndetur. Por, nga përvojat më të mira, programi i një qeverie të tillë përfshinë vetëm ato pika që e shpëtojnë situatën dhe me këtë edhe shtetin. Kurse përmbajtja e 15 pikëshit më shumë përbën tema të karakterit elektoral.
Me gjithë atë është një përpjekje për të ofruar një platformë minimale bashkëpunimi, që do të mundësonte kthimin e funksionalitetit institucional dhe përgatitjen e vendit për zgjidhje afatshkurtra apo zgjedhje të reja. Kur i referohemi deklaratave se kjo mund të qoj deri te fundi i mandatit të Presidentit/es aktual, dhe zgjedhjen e presidentit të vendit, atëherë kjo rezulton të jet një status quo e krizës por jo zgjidhje kushtetuese.
Ndërkohë që sfida e liderit të partisë së dytë fituese PDK, ndaj LDK ishte: “na i siguroni 19 votat tuaj, unë i bëj 61 tjera” duket të jet një ofertë më serioze dhe determinuese për zhbllokim.
Fatkeqësisht, këto propozime janë refuzuar nga pushteti aktual si parti e parë fituese, i cili duket se është më i shqetësuar për mbijetesën personale të një njeriu në pushtet sesa për mbijetesën institucionale të shtetit.

Pozicionimi i tij formal, vije nga fakti se, ashtu siç kam paralajmëruar në vazhdimësi, Kurti mund të jet peng i marrëveshjeve të fshehta dhe agjendave të huaja.
Kemi arsye të besojmë se ky pozicionim formal i pashpjegueshme për të mos lëshuar pushtetin nuk është vetëm produkt i ambicies personale, por rezultati i një pengmarrjeje politike nga faktorë të jashtëm, të paidentifikuar qartë publikisht, por, që nuk janë SHBA.

Nëse analizojmë zhvillimet e fundit – në veçanti marrëveshjen e pranuar në kuadër të Planit franko-gjerman, ku pika 7 parashikon vetëmenaxhim në komuna të dominuara me komunitetin serb, si dhe Statutin për Asociacionin e mbështetur nga BE, ku përfshihen kompetenca ekzekutive dhe juridike për një strukturë paralele – kuptojmë se Kosova është futur në një proces të rrezikshëm, i cili cenon parimin e unitaritetit dhe rrezikon sovranitetin e brendshëm të vendit.
Ky proces nuk është shpjeguar kurrë për publikun.
Nuk është vlerësuar nga Kushtetuesja.
Nuk është debatuar në Kuvend. Dhe mbi të gjitha – nuk ka kaluar përmes filtrit të aleatëve tanë kryesorë, SHBA-së.

Alarmi nga Washingtoni përmes z. Hill i cili në dekalimin e tij u duk i ftohtë dhe simbolikisht i qartë, duhet parë si alarm për rrezikun në të cilin ka rrëshqitur Kosova, me kursin polik të kësaj qeverisje. Në këtë kontekst, deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, se “SHBA-ja nuk do të ndërhyjë më si dikur, Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin vetë problemet”, nuk është një deklaratë neutrale. Është një sinjal alarmi politik, një pasqyrim i humbjes së besimit të Washingtonit karshi qeverisë së deritashme në Prishtinë, dhe një distancim i qëllimshëm nga një klasë politike që ka zgjedhur të shkojë drejt marrëveshjeve të fshehta evropiane në vend të partneritetit me SHBA-në.
Në përkthim diplomatik, kjo deklaratë tregon se mbështetja e fuqishme amerikane nuk mund të vazhdojë për një qeveri si kjo që devijon nga rruga euro-atlantike dhe rrezikon ndarjen e Kosovës për interesa pushteti.

Rreziku nga orientimi i shtrembëruar gjeopolitik, është tani më evident dhe ka filluar si përgatitje e terreni për të marr qeverisjen nga Kurti; kur përmes lobimit në çarqe të dyshimta evropiane është kërkuar hapur “të ndalet ndikimi amerikan në çështjen e Kosivës”, si dhe për të “hequr Kosovën nga agjenda diplomatike amerikane dhe për të kthyer atë në agjendën politike e diplomatike evropiane”. Prandaj dhe ka mbajtur qëndrimi refuzues ndaj çdo nisme e propozimi që ka ardhur nga SHBA. Përjashtoëimisht nga fakti se fatmirësisht nuk ka kapacitet politik as shtetëror për një bllokim të tillë. U dëshmua se aty ku duhet të ndodh implementimi i objektivave strategjike amerikane, qëndrimi refuzues i Kurtit është i papërfillshëm deri ne poshtërim. U dëshmua me zhvillimin e “Defender Europe 2025” në territorin e Kosovës përkatësisht përfshirjen dhe rolin që pati Kosova dhe Forcat e saja të Armatosur që janë produkt ekskluziv Amerikan.
Ajo që është më shqetësuese në këtë qasje është se po shohim përpjekje për të zhvendosur orientimin strategjik të Kosovës, nga boshti i aleancës transatlantike drejt një linje evropiane të deformuar, ku disa shtete brenda BE-së, të afërta me Serbinë dhe të infiltruara nga ndikimi rus, po imponojnë marrëveshje që minojnë themelet e shtetësisë së Kosovës. Kjo përben një rrezik kombëtar që tashmë hapur dhe me gjuhë të kuptueshme e tha edhe Ambasadori i SHBA në Begrad z. Hill. Këto zhvillime nuk janë vetëm të dëmshme – janë ekzistenciale për të ardhmen e shtetit. Kjo duhet lëxuar ne deklarimet e fundit të Presidentit Trump ku deshmoi se Kosova e gëzon përkujdesin amerikan kur është në pyetje pacënueshmëria e pavarësisë.

Por, problemi është kur duhet të mbrohet Kosova nga qeveria e sajë. Asociacioni me fuqi ekzekutive nuk është kompromis – është ndarje funksionale e territorit të Republikës. Dhe kur një qeveri është e gatshme të negociojë për pushtet me strukturat ilegale të Serbisë në veri, ndërkohë që refuzon dialog me spektrin e partive parlamentare, atëherë nuk kemi më qeverisje – kemi kapitullim të vullnetshëm.
Kësaj kaste që ka kapur shtetin dhe nuk respekton germën e kushtetutës i duhet bërë e qartë me çdo mekanizëm e formë veprimi, se nuk mund të ulen në dialog pa legjitimitet të ri.
Në këto rrethana, çdo vazhdim i dialogut me Serbinë është ilegjitim dhe i pavlefshëm.
Një qeveri në detyrë që nuk përfaqëson më shumicën politike nuk ka as mandat dhe as fuqi të negociojë për të ardhmen e shtetit.
Vetëm përmes konstituimit të Kuvendit, krijimit të një qeverie të re, dhe një legjitimiteti të ri institucional, mund të rifillojë një proces i dialogut me vlerë shtetformuese, e jo shkatërruese.

Kosova ka nevojë për kthesë dhe përgjegjësi.
Është koha që klasa politike, përfshirë edhe opozitën, të flasë me një zë të qartë.
Kosova nuk mund të jetë peng i një individi.
Nuk mund të shndërrohet në platformë për eksperimente të rrezikshme ndërkombëtare.
As orientimi pro-perëndimor i vendit, as sovraniteti i tij, nuk janë për t’u diskutuar apo tregtuar.

Në këtë moment kritik, e drejta për të mos bashkëpunuar nuk është e drejtë për të bllokuar shtetin. Sepse Kosova është mbi të gjithë. Dhe përgjegjësia për ta shpëtuar shtetin nga ky ngërç bie mbi të gjithë – por më shumë mbi ata që e kanë kapur dhe nuk po e lëshojnë.